Aktuale
Dy ministra flasin për vdekjen e punëtorit të KEK-ut

Për vdekjen e punëtorit të KEK-ut në vendin e punës, kanë reaguar edhe dy ministra, ai i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka si dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.
Ministrat kanë shprehur keqardhje dhe ngushëllime familjes. Duke uruar që ky të jetë rasti i fundit që punëtorët vdesin në vendin e punës.
E sipas ministrit Reçica organet kompetente do të merren me rastin për të sqaruar rrethanat që quan deri te vdekja e punëtorit të KEK-ut.
“Me keqardhje e pranova lajmin për vdekjen e punëtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës në vendin e tij të punës. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Organet kompetente do ta kryejnë punën e tyre për të sqaruar rrethanat e vdekjes së punëtorit të KEK-ut”, ka thënë ministri nëpërmjet një postimi në facebook.
Kurse, Lluka ka bërë të ditur që gjatë javës së ardhshme do të hapin një diskutim të gjerë me gjitha ndërmarrjet publike, me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës dhe rritjes së sigurisë në punë. E gjithë kjo me synimin që rastet e tilla të mos përsëriten.
“Me keqardhje mora lajmin për humbjen e jetës së Fehmi Salihu, teknik i inxhinierisë në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me këtë rast i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe ndajë dhimbjen me ta.
Duke dëshiruar që ky të jetë rasti i fundit i aksidenteve me fatalitet në vendet e punës, gjatë javëve të ardhshme do të hapim një diskutim të gjërë me të gjitha ndërmarrjet publike me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës dhe rritjes së sigurisë në punë me synimin që rastet e tilla të mos përsëriten”, ka shkruar Lluka në facebook.
Ndryshe, Fehim Salihu ishte punëtor i Termocentralit “Kosova A”, tash e 19 vite. Ai humbi jetë mbrëmë në 23:50, ku siç mëson Ndërtimi.info i ndjeri ishte duke punuar në flegrat e kaldajës të cilat bëjnë pengimin e daljes së gazrave nga ajo pozitë aty. Theksohet se 61 vjeçari Salihu kishte rënë nga 30 metra lartësi.
