Aktuale
Dy kompani në gjyq për reklamat në “Grandin” e mbrojtur si monument
Materialet reklamuese të vendosura pa leje në monumentin në qendër të Prishtinës janë bërë shkas që dy kompani të përballen me gjykatën.
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për fillim të procedurës së kundërvajtës për kompanitë që shfrytëzojnë hapësirat e jashtme të hotelit “Grand” në Prishtinë për vendosje të billbordeve e panove reklamuese. Paraprakisht ky institucion kishte marrë vendim për heqjen e billbordeve. Meqenëse vendimi nuk është respektuar, Inspektorati në dhjetor të vitit të kaluar i është drejtuar Gjykatës.
Ndërtesa qysh prej vitit 2015 është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Por është e pambrojtur prej reklamave. Pano me alamet madhësie reklamojnë produkte e kompani të ndryshme në të katër anët e objektit që dikur ishte hoteli më me nam në Prishtinë. Prej se është shpallur monument, në Kosovë janë mbajtur tri palë zgjedhje. E në kohë fushatash kanë qenë portretet e përfaqësuesve politikë ato që e kanë “mbështjellë” hotel “Grandin”.
Para se t’i dërgojë lëndët në Gjykatë, në mars të vitit të kaluar, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës kishte nxjerrë një vendim, nëpërmjet të të cilit urdhërohej largimi i të gjitha materialeve promovuese në ndërtesën e hotelit “Grand”.
E më 19 dhjetor të vitit të kaluar Inspektorati ka kërkuar fillimin e procedurës së kundërvajtjes për kompanitë “Selmans Network Sh.P.K.” dhe “Devolli Logistic System Sh.P.K”. Në kërkesat e Inspektoratit drejtuar Gjykatës sqarohet se kompanive u ishte refuzuar kërkesa për vendosjen e materialit reklamues nga QRKT-ja e Prishtinës. Në kërkesa sqarohet se Inspektorati më 18 mars të vitit 2019 kishte marrë vendim që brenda 15 ditëve të largoheshin panot reklamuese. Për këtë kishte lajmëruar Agjencinë Kosovare të Privatizimit si institucion që menaxhon me hotelin “Grand” e edhe kompanitë.