Aktuale
Dren Gashi, studenti më i mirë në Westminster, flet para studentëve kosovarë

Dren Gashi nga Kosova i cili studion inxhinierinë në Universitetin e Westmister-it në Londër, i cili u përzgjodh si studenti më i mirë për dy vite me radhë, ka mbajtur sot një ligjëratë në Fakultetin Teknik në Prishtinë, ku shfaqi përvojat e tij si student jashtë vendit, si motivim për studentët para të cilëve ligjëroi.
Agnesa Sejdiu
Duke folur për dallimin mes studimit në vend dhe jashtë, Gashi ka thënë se në Kosovë mësohet më shumë teknikisht, gjë e cila është ndryshe në Londër, pasi që ana teknike mund të ligjërohet dy herë në javë, gjë e cila liron hapësirë për praktiken gjatë ditëve tjera të javës. Por, kjo nuk do të thotë se arsimimi në Kosovë është i pavlefshëm.
Sipas Gashit, nëse akreditohet universiteti është shumë më e lehtë qe studentet të integrohen për shkak se lëndët janë shumë të mira dhe mos-akreditimi i penalizon. I ftuar për të diskutuar rreth arsyes se “Pse studiojmë?”, Dren Gashi ka thënë se studimet janë mëse të rëndësishme për krijimin e një karriere të dëshiruar, pavarësisht vendit nga jeni, madje ai ka paraqitur një shembull nga biznesmeni i njohur Jack Ma.
Gjithashtu ai thotë se edhe mësimi i teknologjisë është çelës i suksesit.
Ndërsa për të studiuarit jashtë vendit Gashi thotë: “Si kosovar, të studiosh jashtë ja vlen nëse tërhiqeni nga pasioni dhe vlerat, adaptoheni me ndryshimet e shpejta, nuk të merren mend nga luhatjet e mëdha, je gati të japësh shumë e të marrësh pak, nëse studioni në një vend social-demokrat, keni një plan me risk minimal financiar, jeni i mirë në komunikim dhe gjuhë dhe e dashuroni të mësuarit në mënyrë autodidakte” është shprehur ai.
Mirëpo, si student në Britani të Madhe, ai tregon se një nga anët negative është përqindja minimale e punësimit si shkak i rigorozitetit në emigracion. Si zgjidhje të të studiuarit jashtë ai ka paraqitur tri vende evropiane: Gjermaninë, Norvegjinë dhe Francën.
Universiteteve e këtyre tri vendeve ofrojnë çmime mjaft të volitshme për studime, madje Norvegjia është falas. Si pjesë e fundit e ligjëratës Gashi ka folur për akreditimin e titujve, si element kyç për inxhinierët e ardhshëm.
Sipas tij studentët duhet të tregohen të kujdesshëm në përzgjedhjen e titujve nëse vendosin të studiojnë jashtë vendit, gjë të cilë profesorët e Universitetit në Prishtinë, nuk ua kanë përmendur asnjëherë.
Megjithatë interesimi për ligjëratën nuk ishte edhe aq i madh, përkundër faktit që përvoja e Drenit është mëse në favor të tyre.
