Arkitekturë
Drejtori i “Zaha Hadid” është jashtëzakonisht i pakënaqur me Bienalen e Venedikut

Ekspozita e 16-të Ndërkombëtare e Arkitekturës Bienalja e Venedikut “FREESPACE” po vazhdon të mbahet e hapur për publikun nga data 26 maj deri me 25 nëntor të këtij viti.
Shpërblimet kryesore si “Luani i Artë” dhe “Luani i Argjendtë” u dhanë ditën e hapjes dhe fitues ishin Eduardo Souto de Moura, Zvicra, Britaina e madhe, Jan der Vylde, Rahul Mehrotra dhe Andra Matin.
Rreth kësaj ekspozite kishe edhe të atillë që nuk u pajtuan me politikat e saj.
Drejtori i një prej studiove më të mëdha të arkitekturës në botë “Zaha Hadid”, Patrik Schumacher, shkroi në rrjetin social Facebook se si nuk ishte aspak i kënaqur me ekspozitën duke ftuar arkitektët që të luftojnë për të “shpëtuar” Bienalen e Venedikut, si e quan ai, nga “arrogantët”.
“Arkitektët duhet të luftojnë për të shpëtuar Bienalen e Venedikut nga udhëheqësit arrogantë. Unë doja ta vija në dukje këtë kohë më parë, dhe nuk do të pushoj derisa gjërat të përmirësohen. Përderisa Yvonne Farrell dhe Shelley Mc Namara nga Grafton Architects bënë punën e tyre në ftimin e arkitektëve për të treguar punën e tyre aktuale, shumica e pavijoneve kombëtare, sërish, refuzuan të bënin kështu. Në vend që të informoheshin dhe të ballafaqoheshin me projektet arkitektonike më të mira dhe më inovative të dy viteve të fundit nga vendet e ndryshme, na u desh të vuanim edhe një herë, uzurpimin e pavijoneve “tona” nga kuratorët për të shpërndarë mesazhet e tyre dhe paraqitjen e vetes së tyre përmes instalimeve. Ky model e shndërron bienalen e arkitekturës në një bienale tjetër të artit, dhe disiplina jonë humbet forumin e saj më të rëndësishëm të ekspozitës dhe komunikimit” shprehet ai.
Schumacher madje thotë se disa nga pavijonët nuk kishin lidhje me arkitekturë.
“Pavijon pas pavijoni ishin të varfër nga arkitektura. Pavijonet iu dhanë ose instalimeve të një-linjeje, të cilat mund të absorboheshin me një të hyrë brenda dhe jashtë për 30 sekonda, ose temave që kanë shumë pak të bëjnë me dizajnin arkitekturor dhe janë diskutuar pa paraqitur një vepër arkitekturore. Këto dy modele janë të përhapura tani përkundër faktit se disa nga pjesëmarrësit e ftuar janë vetë arkitektë, si për shembull ekipi i Pavijonit Britanik. Pavijoni britanik i zbrazët, fjalë për fjalë, më së miri ilustron “keqesinë” e këtyre Bienaleve të shkatërruara. Kjo humbje e hapësirës së çmuar për shfaqjen e punimeve për mua është jashtëzakonisht e trishtë dhe arrogancë” ka shkruar Schumacher.
