Aktuale
Drejtori i Inspektoratit të Obiliqit në konflikt interesi
Drejtori që drejton dikasterin që merret me inspektim në Komunën e Obiliqit është gjetur vetë në konflikt interesi.
Agjencia Kundër Korrupsionit nëpërmjet një vendimi ka treguar se Burim Ismaili krahas ushtrimit të funksionit të drejtorit të Inspektoratit në këtë komunë ka qenë edhe pronar dhe person i autorizuar në një biznes privat. Kjo gjendje, sipas AKK-së, paraqet papajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Agjencia Kundër Korrupsionit pasi ka identifikuar rastin për zyrtarin e lartë, z. Burim Ismaili, drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Obiliqit, ka verifikuar informacionin, ku i njëjti person figuronte si person i autorizuar në biznesin privat ‘Home Market & Home-Design’ Sh.p.k.
“Pas pranimit të shkresës nga pala, me kërkesë të tij është organizuar dhe mbajtur një takim brenda Agjencisë, ku zyrtari i lartë është njoftuar gjerësisht lidhur me faktin se ushtrimi i funksionit të drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit, si dhe të qenit njëkohësisht person i autorizuar në biznesin privat paraqet gjendje të papajtueshmërisë me ushtrimin e funksionit publik, situatë e cila është në kundërshtim me nenin 13, paragrafi 1 të Ligjit nr. 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet tutje në arsyetim.
Sipas të njëjtit, pas diskutimit dhe ballafaqimit të fakteve, zyrtari i lartë, Burim Ismaili është pajtuar tërësisht me gjetjet e Agjencisë, duke deklaruar se do të ndërmarrë veprime konkrete dhe të menjëhershme në mënyrë që të shmangë papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit publik.