Aktuale
Dragashi nuk lodhet për OSHP, tenderi për ujësjellës anulohet për të 4 herë

Vazhdon të mbetët “lëmsh” i pazgjidhur tenderi për projektin e ujësjellësit kryesor në Dragash, projekt ky tre vjeçar.
Tani për të katërtën herë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka anuluar dhënien e kontratës për këtë tender duke e kthyer lëndën në Rivlerësim.
Pasi që sipas panelit shqyrtues kompania fituese e cila ishte rekomanduar për kontratë nga Komuna e Dragashit nuk ka përmbushur kërkesat e specifikuara në nenin 8.1 të FTD-së. Po e njëjta kompani përveç dëshmisë për marrëveshje me furnizim me zhavorr nuk kishte ofruar si dëshmi licencën nga organet kompetente për gurthyes, ashtu siç ishte kërkuar në nenin 9.2 të FDT-së, shkruan Ndërtimi.info
Komuna e Dragashit, gjatë Rivlerësimit të tenderit nuk kishte përfill as vendimet që kishte marr OShP më herët, ani pse për këtë ishte konstatuar se kjo kompani nuk i përmbush kërkesat e Autoritetit Kontraktues. E për të cilën kompani edhe vetë Komuna e Dragashit e kishte klasifikuar si të papërgjegjshëm, e që kësaj radhe e konsideron si të përgjegjshme duke u thirrur në nenin 72 të Ligjit të Prokurimit Publik.
Megjithatë, edhe përkundër gjitha kërkesave për sqarime, kompania fituese nuk kishte ofruar licencë për gurëthyes.
“Paneli shqyrtues sqaron se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë ka ofruar licencën e “Sedi Tours” me të cilin nuk ka marrëveshje bashkëpunimi për furnizim me zhavorr, ashtu siç është kërkuar në dosjen e tenderit”, thuhet në arsyetimin për anulimin e dhënies së kontratës.
Si përfundim paneli shqyrtues obligon Komunën e Dragashit që gjatë rivlerësimit të zbatoj vendimet e panelit shqyrtues dhe të mos i shmanget kërkesave të dosjes së tenderit ashtu siç ka bërë. Në të kundërtën thuhet se janë të obliguar të veprojnë konform dispozitave ligjore të nenit 23.9 dhe 131 të Ligjit të Prokurimit Publik.
Për këtë tender ishte ankuar grupi i kompanisë NPT”Fanaj Inxhiniering” & “Lala” Sh.P.K ku pretendohej se Komuna e Dragashit ka bërë shkelje të nenit 7, 56, 59 dhe 60 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).
Pas disa anulimeve, Komuna e Dragashit e kishte publikuar njoftimin për dhënie të Kontratës. Për dhënien e kontratës për “Ujësjellësi kryesor-Vazhdim i punimeve (Projekt tre vjeçar)”, është rekomanduar grupit të Operatorëve Ekonomik: N.N.P.”EBK”, NNTPP “Gashi Ing “, “VODOSKOK D.D.” DEGA NË KOSOVË, “Muratori” SH.P.K. me çmimin vlera më e ulët 1.087.442,62 euro.
Ky tender kishte nisur qysh në qershorin e vitit të kaluar (2017).
