Aktuale
DoCoMoMo reagon ndaj mos mbrojtjes së ndërtesave moderniste të menaxhuara nga AKP-ja
Komiteti ndërkombëtar për dokumentimin dhe konzervimin e modernizmit ka reaguar rreth së ardhmes së rrezikuar dhe shkatërrimit të objekteve që i përkasin periudhës së modernizmit e që janë nën menaxhimin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit.
DoCoMoMo ka reaguar për këtë çështje me një letër të cilën ia kanë dërguar Valon Tolajt, drejtor menaxhues në AKP, ku shprehen të pakënaqur me mënyrën se si institucionet nuk po i mbrojnë disa nga monumentet moderniste në Prishtinë.
Në letër gjithashtu thuhet se ata kanë tentuar të kontaktojnë drejtorin menaxhues të AKP-së por nuk kanë mundur asesi.
Më poshtë mund ta lexoni letrën që i është dërguar menaxhmentit të AKP-së.
“DoCoMoMo Interational – Komiteti ndërkombëtar për dokumentimin dhe konservimin e ndërtesave, tokave dhe lagjeve të lëvizjes moderne, dëshiron të tërheq vëmendjen tuaj ardhmërinë e kërcënuar të Ndërtesave Moderniste të Kosovës dhe që janë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ne jemi shumë të shqetësuar në lidhje me punimet e fundit në disa ndërtesa moderne nën menaxhimin tuaj, përkatësisht punimet për mbrojtjen e ndërtesës së Radio Kosovës, Grand Hotelit, Rilindjes dhe shumë ndërtesa të tjera në të gjithë Kosovën. Në muajt e fundit, Kapitulli Kombëtar i DoCoMoMo Kosova u përpoq të kontaktojë drejtorin menaxhues të Agjencisë së Privatizimit dhe të paraqes shqetësimet lidhur me këto pasuri me vlerë të pallogaritshme kulturore të Kosovës, por pa sukses!
Edhe pse disa ndërhyrje në ndërtesat moderniste shkatërruan plotësisht çdo shans që ato të riktheheshin në origjinalitetin e tyre, në shumë raste ndryshimet fizike që ishin ndërmarrë në dy dekadat e fundit janë të kthyeshme.
Ne po i drejtohemi përmes kësaj letre, institucioneve përkatëse në Kosovë, siç janë Agjencia e Privatizimit, krerët e Komunave, Ministria e Kulturës, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Zyra e BE-së në Kosovë, Media dhe persona dhe institucione të tjera përkatëse që mund të ndihmojnë, me përpjekje dhe bashkëpunim maksimal për mbrojtjen e këtyre monumenteve moderniste europiane.
Përkrah DoCoMoMo International, Kapitulli i DoCoMoMo Kosova u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse, veçanërisht Agjencisë së Privatizimit, ta marrin këtë çështje shumë seriozisht dhe të ndalojnë çdo punë të pakthyeshme në këto monumente”, shkruhet në letër.
DoCoMoMo International është nisma me e madhe globale që angazhohet për mbrojtjen e Modernizmit, si dhe shërben si trup konsultues për UNESCO-n.