Arkitekturë
Dizajneri karizmatik i kafiterive më me nam në Prishtinë [foto]
Trendi botëror ka prekur edhe Kosovën kur bëhet fjalë për rëndësinë e dizajnerëve për enterier, sikur të banesave ashtu edhe të lokaleve. Ndër të tjerë, spikatet Ilir Shehu.
Ai është 33-vjeçar. Me prejardhje nga Kaçaniku, jeta e tij profesionale e ka sjellë në Prishtinë. Gjithmonë i lidhur me dizajnin industrial, ai u detyrua që t’i futet pikturës fillimisht.
“Fillimisht kam filluar të pikturoj, e më pas kam kaluar në dizajn industrial e në kohën e fundit po merrem me dizajn enterieri. Unë gjithmonë kam dashtë me qenë dizajner industrial, fatkeqësisht atë kohë nuk ka pasë në Kosovë shkolla të dizajnit industrial edhe e kam gërshetu pikturën në enterier”, thotë Shehu për Ndertimi.info.
Jo dashamir i madh i intervistave e kamerave, Shehu punon për të nxjerrë më të mirën në ambientet e mbyllura. Ai thotë se është rritur interesimi vitet e fundit për këtë punë, mirëpo e gjitha varet se sa insiston. Me një dizjaner të enterierit afër, Shehu thotë se çdo klient e ndien veten sigurt.
“Çdo klient po e ndien veten sigurt, nëse angazhon dizajner enterierit ose artist për me vizatu një punë. Mënyra që ofrojmë anën vizuale 3D ia bën më të lehtë klientit për përzgjedhje”, rrëfen Shehu, që shumë shumë rrallë lejon që të ketë interferime në punën dhe idenë e tij. E në rastet kur ai reziston, klientët i thonë “mirë e ke pasë”.
Puna e tij është e përqendruar në Kosovë, por ka tendenca për të depërtuar edhe jashtë vendit. Kafenetë sikur Papillon, Friends Aveny, Capitol, Aurora, Proka e shumë të tjera kanë kaluar në duart e tij. Së fundi ai ka dizajnuar edhe restaurantin “Loriano”, ku thotë se “janë të përziera shumë zhanre: industrial, elegant, brutal – por jo shumë si në vendet tjera”.
Ai e ka përdorur edhe betonin në punën e tij, por që thotë se nuk e ka përdorur ende sa duhet. Punën e mbështet më së shumti te ekipet referuese që i ka, të cilat e bëjnë të ndihet komod.
“Vet dizajnoj, vet mbikëqyri, vet udhëheq edhe vet vendosi”, shtoi Shehu, duke mbajtur dorën gjithmonë në mjekrën e tij të gjatë, në stil skandinavi.
Duke dashur të marrim përgjigje se ku mund të shohim punën e tij të radhës, ai tregohet i rezervuar duke i lënë gjithçka kohës.
You must be logged in to post a comment Login