Aktuale
Divizioni i Kundërvajtjes së Pejës sistemohet në ish-objektin e Prokurorisë

Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore të Pejës, këtë muaj ka kaluar nga objekti ku ishte deri tash dhe është sistemuar përkohësisht në ish-objektin e Prokurorisë Themelore të Pejës, që gjendet jo larg semaforëve të vetëm në qytet.
“Në këtë objekt kemi kaluar këtë muaj dhe këtu do të qëndrojmë derisa të ndërtohet objekti i ri, ku do të sistemohet pastaj e tërë Gjykata Themelore e Pejës”, thotë Kadri Prekaj, mbikëqyrës i Divizionit për Kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Pejë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ky divizion më herët ka qenë i sistemuar në një objekt në Çarshinë e Gjatë dhe pasi është privatizuar ai objekt ky departament është sistemuar para disa vitesh në një objekt privat 200 metra poshtë objektit të Gjykatës Themelore, për çka edhe është paguar qira e madhe, por sa është paguar për muaj, në gjykatë nuk kanë treguar asnjëherë.
Në objektin amë të Gjykatës Themelore nuk ka vend që të punojë edhe Kundërvajtja, për çka sivjet në këtë gjykatë shpresojnë që do të nisë edhe ndërtimi i objektit të ri të gjykatës, në të cilin pastaj do të sistemohen të gjitha departamentet.
Objekti i vjetër i kësaj gjykate, i ndërtuar në fillim të viteve ‘60, nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të gjitha departamentet dhe nuk i plotëson më as kushtet për një punë të mirëfilltë.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, kishte treguar në fillim të këtij viti se Peja është në rend këtë vit me projektin e Këshillit Gjyqësor, që është në bashkëpunim me Ministrinë e Administratës Publike, për ndërtimin e objektit të ri të gjykatës.
