Aktuale
Diskutohet ideja e ndërtimit të linjës hekurudhore Kosovë – Mali i Zi

Ministri i ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, priti në takim Ambasadorin e Kosovës në shtetin malazez, Skënder Durmishi, ku qëllim i takimit ishte inicimi i marrëveshjeve bashkëpunuese për projekte infrastrukturore, të cilat do të shërbenin në rritjen, forcimin dhe zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.
Duke i vënë një theks të veçantë lidhjes hekurudhore Kosovë-Mal i Zi, lidhje kjo e cila për momentin nuk ekziston, Lekaj shfaqi interesim duke pohuar se Ministria e Infrastrukturës është më se e interesuar që kjo ide të bëhet jetike.
Meqenëse ky takim ishte vetëm plasim i ideve dhe shikimi i mundësive për projekte hekurudhore, të cilat në një të ardhme mund të implementohen, Lekaj deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjeve bashkëpunuese do të shërbente si një lloj shtytjeje për fillimin e këtyre proceseve.
I po të njëjti mendim ishte edhe ambasadori Durmishi. Sipas tij, linjat hekurudhore do të ndikonin në forcimin e lidhjes fqinjësore dhe asaj ekonomike, mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke e lehtësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve, e sidomos tregtinë.
Ministri gjithashtu përmendi edhe një aspekt tjetër të veçantë, i cili do të kishte ndikim pozitiv te qytetarët, në rast se këto ide do të finalizoheshin ashtu siç parashihen në letër. Pos zhvillimit ekonomik si dhe kursimit të kohës, me ndërtimin e lidhjes hekurudhore do të zhvillohej edhe turizmi, ku qytetarëve do t’u ofroheshin edhe më shumë mundësi se sa tani, të merren me sport dhe rekreacion.
Mundësia e një takimi të përbashkët ndërmjet dy Ministrave për t’i konkretizuar edhe më tepër këto projekte u pa si shumë e nevojshme.
