Aktuale
Disa fshatra në Mitrovicë nisin peticion kundër Hidrocentralit që po ua shkatërron jetën
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/bistrica.jpg)
Me peticion, banorët e Selacit të Mitrovicës po e kundërshtojnë këtë hidrocentral në fshatin e tyre.
Ata janë bërë bashkë me banorë të fshatrave përreth, për të mos e lejuar ndërtimin edhe të një hidrocentrali tjetër në Bistricë dhe kanë mbledhur deri tash mbi 600 nënshkrime, raporton KTV.
Banorët ankohen, sepse vendimi për ndërtimin e hidrocentraleve u mor pa dëgjim publik.
Sipas tyre, hidrocentralet, përveçqë po shkaktojnë dëme ekologjike, po i lënë edhe pa ujë, që e shfrytëzojnë për pije dhe ujitje.
Komuna, gjatë ditës, nuk ka dhënë detaje, por javën e kaluar, Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka miratuar rekomandime të cilat i janë drejtuar Ministrisë së Mjedisit.
Ministrisë i është kërkuar hartimi i raporteve mbi dëmet e shkaktuara në mjedis, pëlqimi mjedisor nga kompania Hidro-Line për veprimtarinë e hidrocentralit dhe pezullimi i çdo aktiviteti deri në publikimin e raporteve.
Por Ministria e Mjedisit nuk i është përgjigjur as pas dy javësh interesimit të KTV-së për veprimtarinë e këtij hidrocentrali. Shumë hidrocentrale po kundërshtohen nga banorët në shumë pjesë të Kosovës. Herën e fundit banorë serbë e shqiptarë u bënë bashkë për të kundërshtuar hidrocentralet në Shtërpcë.
Kuvendi Komunal i Mitrovicës, gjithashtu, i ka kërkuar MMPH-së që të sjellë për inspektim në terren një ekip profesional, për t’i nxjerrë pikat e shtratit të lumit të regjistruara në kadastër dhe ta bëjë krahasimin me gjendjen aktuale para dhe pas punimeve dhe ndërtimit.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)