Aktuale
“Detyra e MTI-së të krijojë kushte, e prodhuesit të rrisin cilësinë”

Prodhuesve Vendor iu është ofruar mbështetje nga institucionet e Kosovës. Në Konventën e Prodhuesve Vendor që po mbahet sot Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Endrit Shala i ka garantuar prodhuesit se MTI do ta kenë adresën kryesore për çdo ankesë e shqetësim.
Siç tha ai, detyrë e MTI-së është që të krijojnë kushte, ndërsa e prodhuesve të rrisin cilësinë e që në këtë mënyrë ai siguron që do të kenë 100 për qind suksese.
“Edhe njëherë ju garantoj që Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë keni me pas adresën kryesore për secilën ankesë, shqetësim e nevojën e juaj. E jona është të krijojmë kushte dhe e juaja është ta rrisni cilësinë dhe kur këto të bëhen bashkë unë iu garantoj 100 për qind suksese”, tha Shala, raporton Ndërtimi.info
Gjatë fjalimit, Shala ka thënë se përkrahja e produkteve vendore po merr përkrahje të jashtëzakonshme, ku ka theksuar se prodhuesi vendor është në pozitë më të favorshme se sa ka qenë ndonjëherë. Gjë e cila sipas tij duhet t’i gëzoj të gjithë meqë duke u forcuar prodhuesi vendor, forcohet edhe ekonomia e shtetit të Kosovës.
“Është kënaqësi kur sheh që përkrahja e produkteve vendore nga ana e qytetarëve po merr përmasa të jashtëzakonshme. Krahasuar nga vitet e kaluara prodhuesi vendor është në pozitë më të favorshme sa që ka qenë më herët. Dhe kjo duhet të na gëzoj më shumë për arsye se kur forcohet prodhuesi vendor, forcohet shteti jonë, forcohet ekonomia jonë. Po ashtu forcimi i prodhimit vendor ndikon edhe në rritjen e punësimit, përmirësimin e bilancit tregtar për të cilin jemi duke punuar shumë që edhe ne si institucione të Republikës së Kosovës ta forcojmë. MTI është e angazhuar shumë që të jetë krah i prodhuesit vendor duke punuar bashkërisht që Kosovën ta bëjmë model për zhvillim”, shprehet Shala.
Ndërkohë që ka kërkuar nga prodhuesit vendor që të rrisin cilësinë e produkteve në mënyrë që partnerët tregtarë të mos kenë asnjë dilemë sa iu përket produkteve.
“Jemi duke punuar shumë për një ekonomi të bazuar te nxitja e e investimeve, tek një vizion i ri se si Kosova mund t’i shfrytëzojë potencialet e veta që i ka. Konsumatori ynë, partnerët tonë tregtarë nuk duhet të kenë asnjë dilemë sa i përket cilësisë së produkteve tona. Prandaj në këtë aspekt kërkoj që ta rrisni cilësinë e produkteve të juaja e sidomos sot. Po ashtu bëjë apel te qytetarët që të konsumojnë produktet vendore”, kërkoi Shala.
https://ndertimi.info/haradinaj-tregon-se-a-do-te-terhiqen-nga-vendimi-per-taksen-100-per-qind/
