Arkitekturë
Designboom shkruan për projektin e Molos Group në Prishtinë
Emri i biznesit “angel” që në shqip do të thotë “engjëll”, u bë inspirimi kryesorë i dizajnit të brendshëm të këtij salloni bukurie, në qendër të Prishtinës.
Elemente dhe detaje të krahëve dhe pendëve mund të gjenden pothuajse përgjatë të gjithë hapësirës, secila në formë unike që si rezultat sjellë një dizajn të veçantë dhe elegant.
Studio Molos Group me bazë në Prishtinë, kanë rindërtuar këtë hapësirë e cila ishte një shtëpi e vjetër, duke e shndërruar atë në një zonë të planifikuar dhe praktike, për të mundësuar ofrimin e shërbimeve të bukurisë, duke përfshirë hapësira për trajnime dhe punëtori.
Paleta e përzgjedhur e ngjyrave dhe e dritave krijon një ambient të ndriçuar dhe të butë. Elemente të drurit dhe gurit të pa përpunuar janë përfshirë në dizajn. Ato janë përdorur për të krijuar tavolinën në hyrje të sallonit e cila shërben si recepsion si dhe bazën për ulëset e kristalta.
“Kjo hapësirë ju përshëndet me një derë elegante prej 4 metrash, duke ju mirëpritur me një recepsion prej një konzollë, e ndërtuar nga një dru 200-vjeçar i hambarit, i cili mbështetet nga një gur i madh natyror i papërpunuar. Pendët e arta të bëra me dorë qëndrojnë varur nga tavani i lartë i hyrjes, duke krijuar pasqyrime dhe hije të bukura”, përshkruan Molos Group.
Ndër shumë elemente të veçanta brenda hapësirës, është edhe muri ndarës i zonës së pedikyrit, i cili është i ndërtuar nga përafërsisht 4 mijë shishe boshe të llakave për thonj të cilat janë renditur në një formë të lakuar, pas së cilit ndodhen lavamanët prej guri të punuar me dorë.
Të gjithë lavamanët e gurit janë lënë në formën e tyre dhe nuk janë prekur e as ndryshuar, përveç që janë lëmuar në pjesën e sipërme.
Hapësira e cila i është kushtuar flokëve, është e ndarë nga një “mur” i bërë me porosi nga gërshërë metali me ngjyrë të bardhë. Ndërsa shkallët që ndodhe në këtë hapësirë, janë ndërtuar rreth një peme. Tri shkallët e para janë të krijuara nga një gur natyral ndërsa vazhdimi i tyre është ndërtuar nga druri dhe metali me ngjyrë të bardhë.
Fasada e jashtme është e bërë nga tullat e xhamit të cilat krijojnë një efekt super të bukur vizual të cilat gjatë ditës lejojnë dritën të futet brenda dhe krijojnë reflektime interesante.