Aktuale
Dështon premtimi për rrugën në Veternik, duhet pritur deri më 2019

Reshjet atmosferike që kishin ndodhur në dhjetorin e vitit të kaluar (2017) kishin hedh në sipërfaqe gabimet mbi të cilat po bëhej zgjerimi i rrugës në Veternik. Në atë pjesë rrëshqiti muri mbrojtës duke shkaktuar telashe edhe për banesat që janë afër rrugës.
Shkruan: Shkëndije Ahmeti
Ndonëse Ministria e Infrastrukturës kishte deklaruar se problemi në këtë pjesë të rrugës do të zgjidhej, një gjë e tillë nuk po mund të ndodhë as pas një viti. Finalizimi i asaj rruge pritet të ndodhë tek vitin e ardhshëm.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për Ndërtimi.info Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj.
Zejnaj thotë se shkak i problemeve teknike që janë shfaq gjatë ndërtimit kanë bërë që rruga të mos përfundoj. Ai ka arsyetuar se në një periudhë kohore kenë qenë peng i ndërtimit të “Rrugës A”.
“Kanë ndodh disa probleme teknike gjatë ndërtimit, pastaj u bë revidim i projektit. Në një periudhë kohore kemi qenë peng të Rrugës A kur thuhet herë po fillohet së ndërtuari e herë jo. Ajo çka mundemi me thënë është se tani po hymë në sezonin e dimrit dhe krejt kjo mbetët për vitin e ardhshëm me përfundu si projekt”, tregon Zejnaj për Ndërtimi.info
Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një konferencë për media javë më parë ishte shprehur optimist se rruga do të përfundojë së shpejti.
“Për shkak se është rrugë magjistrale, është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës dhe e kemi diskutuar. Çështja kryesore është e urës, ku kemi pasur probleme me shembje të rrugës vazhdimisht. Ministria më ka informuar se po i shohin mundësitë e zgjidhjes së problemit edhe me KFOR-in për ta gjetur një, do të thosha, zgjidhje momentale për ta vendosur urën, derisa të bëhen riparimet e nevojshme”, kishte thënë Ahmeti.
Kurse për shembjen e murit dhe rrëshqitjen e dheut, Ministria e Infrastrukturës 10 muaj më parë kishte prezantuar edhe raportin e komisionit të emëruar nga Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.
Sipas raportit ishte thënë se problemi erdhi meqë hallkat të cilat nuk kanë funksionuar në këtë drejtim, duke u nisur nga projektimi, mbikëqyrja, punëkryerësi dhe koha e keqe nga të reshurat atmosferike që kanë mbizotëruar ato ditë.
Rikujtojmë ministri Lekaj, në maj të këtij viti, kishte premtuar se punimet e kësaj rruge do të përfundojnë brenda 55 ditësh.
Megjithëkëtë, rrëshqitja e këtij muri përveç banorëve përreth kishte shqetësuar edhe ekspertët e ndërtimit.
Profesori i lëndës së betonit në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Kadri Morina fajin e kishte hedh tek mungesa e profesionalizmit në projektim dhe gjithë procesin e ndërtimit.
Ai, këtë e ka thënë në një intervistë për Ndërtimi.info, menjëherë pas rastit, ku kishte theksuar se muri ka rrëshqitura kur pothuajse gjithçka ishte gati për asfaltim të rrugës.
“Mua më breu në momentin që kam kaluar aty pari dhe kam vërejtur një rrëshqitje të tillë sepse rruga ka qenë gati për asfaltim, pothuajse gati dhe kur e kam vërejtur atë rrëshqitje më erdhi shumë keq pse me na ndodh. Pikërisht këto janë aty problemet që neve në ndërtimtari komplet po na mundon dhe ajo është se nuk dihet se kush projekton, kush ndërton, kush mbikëqyrë, kush investon e kush revidon. E, arsyeja është se nuk kemi licenca të profesionalistëve në Kosovë”, është shprehur profesori.
Profesori Morina kishte thënë se profesionistët duhet t’i marrin parasysh veprimet ekstreme në konstruksion.
Projekti 3 milionësh për zgjerimin e rrugës në hyrje të Prishtinës me tetë korsi ishte inauguruar me 18 prill të 2017-ës.
