Aktuale
Dështon diskutimi për “Bashkimin e Qytetit”, “Avonet” i quan të papërgjegjshëm asamblistët

Në Kuvendin Komunal të Ferizajt nuk është arritur që sot të diskutohet për projektin “Bashkimi i Qytetit”. Kjo pasi mbledhja e jashtëzakonshme ka dështuar pasi munguan asamblistët e PDK-së, AAK-së dhe Nismas.
E, në lidhje me këtë ka reaguar rrejti i OJQ-ve “Avonet”, duke konsideruar se asamblistët e Kuvendit Komunal janë të papërgjegjshëm dhe jo-llogaridhënës para qytetarëve.
“Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh shqetësimin për mos pjesëmarrjen në seancën e jashtëzakonshme për projektin “Bashkimi i Qytetit”, kjo tregon se anëtaret e Kuvendit të Komunës së Ferizajt nuk janë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës para qytetarëve si përfaqësues të qytetarëve. Çdo projekt duhet të jetë i diskutueshëm para organeve vendimmarrëse dhe të jetë llogaridhënës para këtij organit. Mos pjesëmarrja e anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Ferizajt nga radha e PDK-së, AAK-së, AKR-së dhe Nisma Socialdemokrate, tregon se këto grupe politike nuk bartin përgjegjësi, llogaridhënie dhe përgjegjshmërinë e tyre pranë qytetarëve”, thuhet në reagimin e tyre.
“Avonet” kërkon nga shefat e grupeve parlamentare që këtë pikë të rendit ta rikthejnë dhe të diskutojnë për ecurinë e një projektit të rëndësishëm për qytetin e Ferizajt.
Sipas këtij rrjeti, mos-pjesëmarrja në seanca dhe bojkotimi e tyre janë bërë shprehi tek anëtarët e kuvendeve komunale dhe kjo dukuri duhet që sa më parë të largohet.
