Aktuale
Dështojnë 6 kompanitë për tenderin për “Unazën e Re”

Gjashtë kompanitë, të cilat morën pjesë në tenderin e dytë të zhvilluar për lotin e dytë të Unazës së Madhe të kryeqytetit, nga rreth-rrotullimi i sheshit Shqiponja deri të Pallati me Shigjeta janë skualifikuar nga gara. Drejtoresha e re Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, në daljen e parë për mediat në këtë pozicion tha se asnjë nga ofertuesit nuk është pranuar për tu kualifikuar pasi nuk përmbushin kriteret ligjore. Në procedurë, pasi të bëhet firmosja e procesverbalit të anulimit të tenderit, ARRSH do të rihapë dhe njëherë garën për këtë lot. Anulimi i dytë i tenderit vjen në një kohë kur qëndresa banorëve, të cilët do të mbeten pa shtëpi në zonë ka mbërritur në ditën e 90-të të saj, ndërsa për kompaninë e parë “DH Albania” vijojnë hetimet nga Prokuroria shqiptare. Nga të dhënat e fundit mësohet se në Prokurorinë e Përgjithshme, një prej anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave është kallëzuar penalisht për braktisje të detyrës. Kallëzimi është bërë nga Drejtorja e Autoritetit Rrugor, Sonila Qato. Sipas Qatos, kjo ishte një procedurë detyruese që duhet të bënte, pasi anëtari i KVO-së nuk ishte paraqitur në punë gjatë periudhës që duhet të bëhej vlerësimi i ofertave në garën e dytë dhe ishte zëvendësuar.
Denoncimi
Me tenderin e rishpallur, ish-drejtori i ARRSH, Afrim Qendro u ka kërkoi partive politike të lejojnë respektimin e procedurave ligjore dhe të mos dëmtojnë procesin e garës, sikundër edhe të mos intimidojnë komisionin e vlerësimit të ofertave. “Ligji për Prokurimin Publik dhe gara e hapur përmes platformës së Agjencisë së Prokurimit Publik krijon të gjitha mundësitë për transparencë të plotë në këtë proces të rëndësishëm”. Ndërkohë, ky apel i ARRSH-së nuk u mor në konsideratë, pasi menjëherë pas shpalljes së firmave që garojnë, zyrtarja e Partisë Demokratike, Lealba Pelinku përmes një deklarate për mediat ka akuzuar qeverinë se ka paracaktuar fituesin e tenderit. Sipas PD-së, kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese. Edhe dje në parlament, PD nuk e ka anashkaluar lajmin për anulimin e tenderit, kur kryetari Lulzim Basha denoncoi se ky tender u paracaktua të fitohej nga kompania Gjoka, por një kompani tjetër bëri ofertë më të ulët dhe prishi planin e qeverisë për t’ia dhënë tenderin një kompanie të afërt me të: “Besoj e dini, se sot (dje) anuluan tenderin e Unazës së re. Ishte përcaktuar se do ta merrte Gjoka tenderin tek Unaza, por ishte futur në tender një fatkeq që kishte ofruar 5 milionë më pak dhe është prishur pazari”, u shpreh Basha nga foltorja e kuvendit. Tenderi i lotit të parë të Unazës së Madhe u anulua më 7 dhjetor 2018 nga ARRSH, një ditë pas bërjes publike se kompania amerikane, “DH Albania” që kishte fituar tenderin 18 milionë eurosh, kishte falsifikuar dokumentet.
Hetimet për “DH Albania”
Dy muaj pas shpërthimit të skandalit të Unazës së Re, me kërkesë të prokurorisë, gjyqtarja Ardian Bera vendosi masën e arrestit në burg për Avdiol Dobin, administratorin e kompanisë “DH Albania”. Grupi hetimor bën të ditur se mbi Dobin rëndojnë 3 akuza: mashtrimi që ka lidhje me skandalin e Unazës, falsifikimi i dokumenteve si dhe pastrimi i parave. Por, edhe në masën e sigurisë të kërkuar në gjykatë për Dobin, prokuroria thotë se ka dyshime që 26-vjeçari të ketë kryer një sërë transaksionesh të dyshuara. Skandali i kompanisë “DH Albania” shpërtheu kur mediat publikuan dokumente se kompania kishte falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit në Delaware për të fituar dy tenderë me vlerë 30 milionë euro në Shqipëri. Pas konfirmimit të falsifikimeve nga autoritetet amerikane, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet. Por, ndonëse është thirrur disa herë nga prokuroria për t’u marrë në pyetje, Avdiol Dobi nuk është paraqitur në organin e akuzës. Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se ai nuk ka dalë jashtë Shqipërisë, por ende nuk është gjetur nga Policia e Shtetit me gjithë masën e sigurisë që është shpallur në datën 19 janar. Bashkë me Dobin janë vendosur nën hetim dhe zyrtarë të lartë të Autoritetit Rrugor, Operatorit të Transmetimit dhe Ministrisë së Energjisë, për të cilët pritet që së shpejti të ketë veprime konkrete. Gjithashtu, po hetohen edhe kompanitë e tjera të lidhura me të si dhe administratorët e tyre.
Të përjashtuara
Në garën e dytë e cila u hap në 13 dhjetor 2018 dhe u kërkuan kompani deri në datën 14 janar 2018, shfaqën interes 6 kompani, nga të cilat 5 ishin me kapital shqiptar, ndërsa e fundit ishte një kompani maqedonase me emër në infrastrukturën e shtetit fqinj. Kompanitë që dorëzuan ofertat për lotin e parë të Unazës së Re me fond 18 milionë euro ishin, sipas rendit alfabetik, 1. Curri sh.p.k. & Vëllezërit Hysa sh.p.k. & Agri Konstruksion, 2. GD Granit AD Skopje, 3. Gjoka Konstruksion SH.A. & Shansi invest sh.p.k. 4. Geci sh.p.k. 5. ANK sh.p.k. dhe 6. Baftjar Murati.
