Aktuale
Deputetja kërkon që të ndahen nga 15 mijë euro për ata që vdiqën në vendet e punës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka një kërkesë për Qeverinë e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Kollçaku ka kërkuar nga ekzekutivi që të ndajë nga 15 mijë euro edhe për punëtorët që kanë vdekur në vendet e punës.
“Qeveria në emër të barazisë sociale (inekzistente), me urgjencë të merr vendim për ndarje të ndihmës materiale (nga 15,000 euro), për të gjitha familjet e punëtorëve që humbën jetën në vend të punës, si pasojë e mosrespektimit të Ligjit për siguri dhe shëndet në punë nga ana e punëdhënësve”, ka shkruar Kollçaku.
Në mbledhjen e 29 janarit, Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 mijë euro për familjen e ish-zëvendësministrit të diasporës, Arian Daci, i cili ka vdekur tragjikisht nga një ortek më 26 janar në Brezovicë.
Kujtojmë që vitin që lamë pas (2018), në vendin e punës në rrethana të njëjta, pasiguria në punë, humbën jetë 23 punëtorë. Nga ky numër, sipas Inspektoratit të Punës, 12 ishin punëtorë të ndërtimtarisë.
Ndërkohë që Ndërtimi.info ka shkruar edhe për gjobat që iu janë shqiptuar kompanive të cilave iu kanë vdekur punëtorët.
Në bazë të raportit të Inspektoratit të Punës që ka siguruar Ndërdtimi.info, del që gjoba më e madhe i është shqiptuar kompanisë Sh.P.K “Timi Construction” për rastin e vdekjes së punëtorit Valon Berishës, 10 mijë euro.
Ndërsa gjoba më e ulët e shqiptuar është 2 mijë euro ndaj kompanisë “SatStyro” ku vdiq 17 vjeçari Seldin Alija.
https://ndertimi.info/ekskluzive-denimet-per-kompanite-qe-iu-vdiqen-punetoret-me-2018/?fbclid=IwAR3HD1xDsHnXb9gpsd0BMpBDOLwnApYBD3gLfnIbn7dHCH9Vk1C9zVzqW6M
https://ndertimi.info/ekskluzive-2000-euro-gjobe-per-kompanine-ku-vdiq-punetori-17-vjecar-seldin-alija/
