Aktuale
Deputetët përkrahin në shqyrtim të parë Projektligjin për Odën e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në ndërtim

Deputetët e Kuvendit të Kosovë kanë përkrahur në shqyrtim të parë Projektligjin për Odën e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) Fatmir Matoshi ka prezantuar para deputetëve këtë projektligj duke thënë se projektligji do të rregulloj licencimin e arkitektëve dhe inxhinierëve.
Ai ka shtuar se përmes këtij projektligji përcaktohet selia, statusi, roli dhe fushëveprimi arkitektëve dhe inxhinierëve.
“MMPH në kuadër të përgjegjësive të veta planifikon që përmes fuqizimit të Projektligjit për Odën e Arkitektëve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit të rregulloj licencimin e arkitektëve dhe inxhinierëve. Me anë të këtij projektligji përcaktohet selia, statusi i tyre, roli dhe fushëveprimi i odave, profesionet, licencat, përgjegjësinë disiplinore dhe edukimin e vazhdueshëm të arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit”, tha Matoshi.
Ministri Matoshi tutje është shprehur se ky ligj është mëse i nevojshëm sidomos tani që fusha e ndërtimit është bërë një ekonomi në rritje të vazhdueshme e që për këtë siç thotë ai vie edhe nevoja që përmes krijimit të odës së arkitektëve dhe inxhinierëve të caktohen përgjegjësitë përgjatë kryerjes së punimeve ndërtimore dhe projektuese, raporton Ndërtimi.info
Qëllimi i këtij projektligji është themelimi i një sistemi multi-funskional dhe të qëndrueshëm të licencimit i cili përmban mekanizma të fortë të mbikëqyrjes dhe edukime të vazhdueshme të arkitektëve dhe inxhinierëve. Për më tepër përfitues të kësaj janë ushtruesit e këtij profesioni dhe po ashtu edhe qytetarët e Kosovës. Kjo iniciativë bazohet në praktikat e vendeve rajonale dhe Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh se ndërtimi është një ekonomi në rritje të vazhdueshme atëherë vie nevoja që përmes krijimit të odave të arkitektëve dhe odës së inxhinierëve të caktohen përgjegjësitë gjatë kryerjes së punëve ndërtimore dhe projektuese. Prandaj duke konstatuar se miratimi i këtij ligji është shumë i nevojshëm ju ftoj të bëni shqyrtimin dhe miratimin e këtij”, përfundoi ai.
