Aktuale
Dënohen me burgim ish-inspektorët e ndërtimit në Prishtinë

Gjykata Themelore e Prishtinës sot i ka shpallur fajtorë ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës. Atyre iu shqiptua dënimi me burg e gjobë.
Ndaj Ismet Halitit u shqiptua dënimi me burg prej tre vjet e gjashtë muaj për keqpërdorim detyre, si dhe 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, Skender Canolli u dënua me dy vjet e 6 muaj për keqpërdorim detyre dhe 1 mijë euro për armëmbajtje pa leje.
Kurse Blerina Syla, Vehbi Avdullahu, Mërgim Shala e Blerim Ibishi gjykata i dënoi me nga dy vjet burg, ndërsa Arbenita Ajeti e Drita Rukiqi me nga 1 vjet e gjashtë muaj.
Gjithashtu, Ismet Halitit e Skender Canollit iu konfiskua nga një veturë, ndërsa Mërgim Shalës një banesë, raporton insajderi.
Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.
Sipas aktakuzës, po ashtu se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.
