Aktuale
Dëmet nga tërmeti, mbyllet përkohësisht spitali i Laçit
Spitali i Laçi u shpall përkohësisht i pabanueshëm pas tërmetit, ndërsa pacientët u trasferuan në Lezhë dhe shërbimi ambulatorë e urgjenca po përshtatet në çadër.
Spitalit të Laçit u mbyll përkohësisht disa ditë pas tërmetit, për shkak të dëmtimeve serioze që ka marrë, ndërsa specialistët konsideruan se qëndrimi në godinë përbënte rrezik për mjekët e pacientët.
Me përjashtim të urgjencës, shërbimet dhe stafi mjekësor janë ndërprerë dhe transferuar drejt Spitalit të Lezhës!
“Kemi evakuuar shumicën e shërbimeve në spitalin e Lacit, në Lezhë. Po ngrihen dy tenda mjekësore, kemi marrë disa nga godinat që po i përdorim në afërsi të spitalit të Laçit”, tha Etjan Xhafaj – përfaqësues i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, për Qarkun Lezhë.
Xhafaj vuri në dukje se godina do të rikonstruktohej pjesrisht dhe do të kishte ndërhyrje në muraturë apo pjesë të tjera të saj, por nuk do të shembej. Megjithatë e cilësoi evakuuimin si të domosdoshëm për të siguruar pacientët.
Kjo është një godinë e dytë e rëndësisë së veçantë që mbyllet në qarkun e Lezhës. Më herët u njoftua mbyllja e Gjykatës së Lezhës, po ashtu për shkak të dëmtimeve nga tërmeti. Ngjashëm në qark janë mbyllur edhe 5 shkolla, tre në Kurbin dhe 2 në Lezhë, nxënësit e këtyre shkollave janë spostuar në shkolla fqinje.
Ndërkohë për të zëvendësuar pjesërisht shërbimet spitalore para spitalit po ngrihet një çadër urgjence, ndërsa autoritetet synojnë që shërbimet ambulatore t’i përballojnë me shtimin e grupeve të urgjencave në terren. Sipas vlerësimit të ekspertëve, dëmet në spitalin e Laçit nuk e rrezikojnë ndërtesën, por ai nuk do të hapet pa rikonstruksion.