Trashëgimia
Del në sipërfaqe muri i lashtë në Durrës

Teksa vijojnë punimet e një projekti infrastrukturor për Durrësin, dalin në dritë fakte dhe objekte që i përkasin lashtësisë.
Gërmimet për këto punime zbuluan një objekt arkeologjik në qendrën e Durrësit, pas godinës së prefekturës. Objekti është zbuluar nga subjekti që po kryente gërmimet për projektin infrastrukturor. Të dhënat e deritanishme dëshmojnë për një bllok guri, si dhe fragmentin e një muri me tulla të kuqe.
Subjekti ka ndërprerë menjëherë punimet në zonë, si dhe është njoftuar ministria e Kulturës. Njoftohet se specialistët kanë evidentuar objektin, duke e fotografuar dhe filmuar. Ndërkohë, pritet të përcaktohet se çfarë përfaqëson ky fragment i zbuluar dhe cilës periudhë të historisë i përket.
Të dhënat paraprake, dëshmojnë për një ndërtim të periudhës së Bizantit. Zbulimi është kryer në qendrën e Durrësit, e njohur historikisht si qendra e këtij qyteti, qysh me themelimin e tij. Specialistët, pritet të analizojnë dhe saktësojnë këtë zbulim, raportojnë mediet lokale/Konica.al.
