Arkitekturë
“Define Studio” projektojnë vilën unike në Jug të Shqipërisë [foto]

“DEFINE STUDIO” së fundi kanë publikuar renderët e vilës në jug të Shqipërisë e quajtur “Vila Drymades”, projekt i cili tregon sfidën dhe harmoninë mes arkitekturës së peisazhit, shkruan Ndërtimi.info.
Nga Agnesa Sejdiu
Dashnor Kadiri dhe Tea Tona kanë projektuar vilën e cila do të ndërtohet në një zonë shumë atraktive sepse ndodhet pranë bregdetit dhe ka pamje të mrekullueshme.
Për Ndërtimi.info, arkitektët e projektit kanë ndarë detaje rreth tij, duke treguar për hapësirën e projektit e cila është krijuar duke respektuar topografinë e parcelës për të drejtuar gjithçka kah Deti Jon.
“Duke shfrytëzuar çdo hapësirë të parcelës dhe duke respektuar topografinë e saj, është bërë e mundur që të projektohet pishina e jashtme si dhe 225 metra katrorë ndërtim. Ne e duam hapësirën dhe arkitekturën sidomos kur ato bëjnë të mundur ndërtimin konsol, nëpërmjet të cilit gjejmë vend për të theksuar profilin natyror të terrenit. Vila, çdo element është duke u orientuar drejt Detit Jon. Nën diell, pishina na sjell më afër detit, një liman i qetë. Në pikën e fluksit, shkallët propozojnë një rrugë të këndshme drejt aktiviteteve të zonës, drejt plazhit”, tregon Kadiri për ndertimi.info.
Ai tregon se ky projekt është i pari i studios në atë zonë dhe i cili dallon nga projektet e tjera të ndërtuara në zonën bregdetare të Dhërmiut.
“Kohët e fundit bëhet fjalë për një rikualifikim të zonës bregdetare të Dhërmiut. Zona po zhvillohet nëpërmjet projekteve të tipologjive të ndryshme të mirë-integruara me topografinë. Vila Drymades karakterizohet nga një frymë moderne arkitekturore, ndryshe nga objektet e ndërtuara në atë zonë”, shpjegon ai.
Ky objekt do të shfrytëzohet kryesisht gjatë sezonit të verës, por arkitektët tregojnë se parcela është e pasur me bimësi të zonës dhe pamje të mrekullueshme nga deti, gjë që e bën atë një shtëpi pushimi perfekte, për çdo stinë.
Struktura e betonit ka izolim termik në pjesën e jashtme, me një suva të butë, të lëmuar me ngjyrë të bardhë të gëlqeres. Pjesa tjetër e materialeve, muret, trotuaret, zhavorri i mbulesës etj., ruajnë të njëjtën ngjyrë duke theksuar karakterin unik të saj.
Të pyetur rreth inspirimit të projektit ata thonë se secilin projekt e mendojnë sikur të ishte i pari, i fundit, dhe i vetmi.
“Na pëlqen të mendojmë për çdo projekt sikur të ishte i pari, i fundit dhe i vetmi. Por ndoshta projekti ynë më i rëndësishëm është studimi ynë arkitektonik në vetvete dhe njerëzit që e rrethojnë atë”, shtuan Kadiri dhe Tona.
Vizualizimi i projektit është bërë nga arkitekti Besim Krosa, i cili e paraqet projektin në mënyrë shumë reale.
