Aktuale
Deficiti tregtar i Kosovës deri në nëntor – 2.7 miliardë euro

Banka Qendrore e Kosovës ka konfirmuar se deri në nëntor të vitit 2018 deficiti tregtar i mallrave ka qenë 2.7 miliardë euro. Importi enorm i produkteve vlerësohet si tejet shqetësues nga ekspertë të fushës, pasi që, siç thonë në BQK, po shkakton largimin e parasë së gatshme nga tregu i Kosovës.
Prodhimtaria në Kosovë ende nuk po mund t’u bëjë ballë produkteve që vijnë nga jashtë, për çka deficiti tregtar edhe në vitin që e lamë pas ka qenë shumë i lartë. Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, tha për Radio Kosovën se në bazë të të dhënave që i posedojnë, ende pa përfunduar viti i kaluar janë importuar mallra në vlerë shumëfish më të lartë se që është eksportuar.
“Nga janari deri në muajin nëntor 2018 vlera e importit te mallrave ka qenë mbi 3 miliardë euro, kurse eksporti ishte 338 milionë euro. Nga këto të dhëna, deficiti tregtar në mallra për periudhën e lartpërmendur ishte 2.7 miliardë euro”, tha Ahmeti.
Ky deficit është shqetësues për ish-kryetarin e Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu. Ai thotë se me patriotizëm folklorik dhe eufori nuk mund të përmirësohet bilanci i pagesave.
“Për fat të keq, e kemi një diplomaci enorm të politizuar, skajshmërisht të paaftë dhe të paprofilizuar. Dhe në këtë mënyrë, me vendime politike, nuk mund të përmirësohet bilanci i pagesave. Duhet të kuptohet që ndërkombëtarizimi i ekonomisë kosovare duhet të mbështetet në standardizim, në licencim, certifikim dhe në menaxhim të kualitetit. Dhe nëse nuk kuptohet rëndësia e këtyre proceseve ne do të flasim për përmirësimin e bilancit të pagesave, por do të jemi shumë larg”.
Gërxhaliu po ashtu thotë se është obligim që të promovohet shumë më tepër vlera e prodhimeve dhe e shërbimeve Made in Kosova.
