Aktuale
Debat dhe promovim libri për hapësirat e braktisura të Kosovës

Organizata CHëB Kosova, vetëm gjatë vitit 2017 ka identifikuar 262 ndërtesa të pashfrytëzuara nëpër vende të ndryshme të Kosovës, të cilat janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje.
Për këtë kjo organizatë ka vendosur që për këto objekte të mbajë një debat publik me temën “Hapësirat e braktisura të Kosovës”, më datën 20 mars, në Parkun Arkeologjik- Lapidariumi i Muzeut të Kosovës duke filluar nga ora 18:00, transmeton Ndërtimi.info.
“Ndërtesat apo monumentet e ndryshme që i kanë rezistuar kohës janë reprezentime materiale kulturore të një shoqërie, të cilat përveç tjerash i shërbejnë vazhdimisht kujtesës kolektive, ofrojnë një narrativë të përbashkët për të kaluarën dhe i kontribuojnë identitetit kolektiv”, thuhet në njoftimin e CHëB-së.
Ndërtesat e identifikuar nga kjo organizatë janë shtëpi tradicionale, salla të kulturës, ndërtesa industriale, kulla dhe përmbajtje të tjera ndërtimore të cilat dikur i shërbenin familjeve, komuniteteve dhe shoqërisë.
“Fati, kuptimi dhe roli i tyre përcaktohet nga faktor të ndryshëm siç janë zhvillimi i përgjithshëm shoqëror, luftërat, sistemi i ri politik, ndryshimi i sistemit vleror, interesat politike dhe ekonomike, neglizhenca shtetërore dhe e shoqërisë në përgjithësi”, thuhet tutje në njoftim.
Në kuadër të debatit, do të promovohet edhe libri “Hapësirat e braktisura të Kosovës- 50 tregime të një bote të harruar”, nga CHëB Kosova.
E, temat që do të diskutohen në këtë debat janë: Pse braktisen ndërtesat? A mund të ri-jetësohen këto hapësira që të ngjallin interes publik dhe të ofrojnë platformë për debat publik mbi kulturën e shoqërinë? Si janë procedurat administrative që duhen ndjekur nëse ka interes për shfrytëzimin e këtyre hapësirave? Si qëndron roli i institucioneve relevante dhe shoqërisë në mbrojtën e këtyre hapësirave? A mundet që këto ndërtesa të bëhen sërish pjesë e jetës urbane? Si qëndron ideologjia politike karshi këtyre ndërtesave?
Këto tema do të trajtohen nga panelistët si arkitekti Arbër Sadiki, sociologia Linda Gusia, Rina Kika- avokate, Shkelzen Gashi-publicist, drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore në MRKS, Vjollca Aliu dhe drejtori i Kulturës në Komunë e Prishtinës, Yll Rugova.
