Aktuale
David Basulto, i pari i prestigjiozes “ArchDaily” flet për publikun kosovar

I pari i prestigjiozes arkitekturore “ArchDaily”, David Basulto sot foli para publikut kosovar dhe dashamirësve të arkitekturës në Bibliotekën Kombëtare, shkruan Ndërtimi.info.
Sesioni i dytë i ligjëratave në kuadër të një prej eventeve më të mëdha të arkitekturës në vend, Festivali i Arkitekturës në Kosovë, solli emra të ndryshëm të kësaj fushe nga e gjithë bota për të ndarë eksperiencat e tyre. Një ndër këta emra ishte edhe David Basulto, nismëtari i një prej faqeve online më të mëdha në të gjithë botën për arkitekturë, në të cilën shumëherë ishin paraqitur edhe projekte të ndryshme nga Kosova dhe Shqipëria.
Basulto foli për krijimin e një “start-up-i” apo një biznesi të vogël duke treguar se si ai dhe shoku i tij i Universitetit kishin filluar ArchDaily-n nga dhoma e tyre e gjumit.
“Kurrë nuk do ta kisha menduar se një ditë do të isha Drejtor Ekzekutiv i një kompanie me 70 punëtorë dhe zyra në pesë shtete të ndryshme”, tha ai.
Përgjatë fjalimit të tij ai tregoi se si ishin habitur nga suksesi i një “biblioteke arkitekturore online” me fillimet e saj, dhe vëmendja qe kishte marrë nga shumë arkitektë dhe studio të tyre, krejt papritur.
ArchDaily shpejt ishte bërë një vend për të gjithë arkitektëtët për të shpërndarë projektet e tyre me botën e internetit. Dhe jo vetëm kaq. ArchDaily ishte kthyer në një vend mundësisht për të gjithë, për te fituar më shumë njohje nga studio nga e gjithë bota, përmes shpërndarjes se projekteve të tyre.
Basulto paraqiti edhe disa shembuj, se si trendi i zhvillimit të qyteteve po lëviz më shpejtësi marramendëse dhe si shpërndarja e përmbajtjeve online luan një rol të rëndësishëm, në atë se si shumë arkitektë mund të inspirohen shumë lehtë nga projekte të tjera, me lehtësi, vetëm duke pasur qasje ne internet.
Nesër, më 13 shtator në Ndërtimi.info do të mund të lexoni intervistën me David Basulto.
