Aktuale
Dallaveret në prokurim, OSHP kthen në rivlerësim tenderin milionësh në Gjakovë

Gjykata e Tenderëve ka kthyer në rivlerësim projektin milionësh për ndërtimin e Qarkores në Gjakovë. Pasi që kjo e fundit nuk ka trajtuar në mënyrë të barabartë operatorët ekonomik dhe se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk ishte bërë ashtu siç e parasheh Ligji i Prokurimit Publik(LPP), shkruan Ndërtimi.info
Pas shqyrtimit të ankesave të gjashtë operatorëve ekonomik që i ishin drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), paneli shqyrtues ka ardhur në përfundim se Komuna e Gjakovës veç shkeljeve të lartëcekura nuk ka respektuar as neni 60 të LPP-së, që është çmimi më i ulët dhe se kjo komunë si Autoritet Kontraktues ka rekomanduar për dhënie kontrate kompaninë e cila nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e FDT-së dhe njoftimit për kontratë.
Me këtë rast paneli shqyrtues sipas vendimit obligon komunën që gjatë rivlerësimit të ofertave t’iu përmbahet të gjitha dispozitave të LPP-së dhe kërkesave të dosjes së tenderit.
Po ashtu Komuna e Gjakovës është e obliguar që të siguroj fondet publike dhe burimet publike që përdoren në mënyrë më ekonomike duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit.
Veç këtyre, Paneli Shqyrtues i ka rekomanduar Komunës së Gjakovës që të ketë në konsideratë edhe nenin 1 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) qëllimi i të cili është të siguroj mënyrën më efikase, më transparentë dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike, burimeve publike dhe gjitha fondeve dhe burimeve të tjera të autoriteteve kontraktuese në Kosovë.
Obligim tjetër për Komunën e Gjakovës për këtë tender është edhe se në rast të paqartësive apo dilemave ajo të kërkoj nga operatorët që të dorëzojnë, plotësojnë, sqarojnë apo të kompletojnë informacionin.
Ndryshe, dhënia e kontratës me vlerë rreth 3 milionë euro (2.618.594, 85) ishte bërë me 28 shkurt të këtij viti (2018). Fitues i këtij tenderi milionësh ishte zgjedhur kompania 4 A-M.
Hapja e ofertave ishte bërë me 10.04.2018, ku kishin marrë pjesë 23 operator ekonomikë.
Projekti i ndërtimit të Qarkores së Gjakovës nga drejtuesit atje ishte cilësuar si tenderi më i madh.
Ndërsa, me 15 mars Komuna e Gjakovës pati mbajtur sesion informues me operatorët ekonomikë ku i pari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini pati deklaruar se ky është një projekt i përbashkët i komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Tenderi i ndërtimit të Qarkores së Gjakovës Lot I përfshinë segmentin nga lokacioni “Ura e Nakarades”, deri tek rreth-rrotullimi në kryqëzimin e rrugëve “Tirana” dhe “Bujar Roka”.
E në rast të përfundimit të loti të I, do të vazhdohet edhe me lotët e ardhshme që përfshijnë segmentin në mes të lokacioneve “Ura e Nakarades” dhe “Pika e Zezë” se dhe vazhdimin e rrugës “Bujar Roka” në drejtim të Shkugëzit dhe Rekës së Keqe.
