Aktuale
Dallaveret e prokurimit në Mitrovicë me tenderat milionësh, OShP i kthen në RIVLERËSIM

Tenderi mbi 5 milionë euro për Rregullimin e shtratit të lumit Sitnica në Mitrovicë është kthyer në Rivlerësim.
Sipas sqarimeve të panelit shqyrtues të OShP-së del që Komuna e Mitrovicës të ketë bërë dallavere në dhënien e këtij tenderi.
Shkeljet e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) që u bënë gjatë dhënies së kontratës ka bërë që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) të anulojë dhënien e kontratës për kompaninë “Lirigzoni” Sh.P.K, me çmim 5.313.771,48 euro, shkruan Ndërtimi.info
“Anulohet njoftimi për dhënien e kontratës, lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Rregullimi i shtratit të lumit Sitnica në Mitrovicë, bashkëfinancim me MMPH’ me numër të prokurimit 642-184186-511, e iniciuar nga Autoriteti Kontraktues/KK-Mitrovicë/ dhe lënda kthehet në Ri-vlerësim”, thuhet në vendimin e OShP-së.
Sipas njoftimit të vendimit të OShP-së kompania fituese “Lirigzoni” Sh.P.K e zgjedhur nga Komuna e Mitrovicës ka çmimin mbi 1 milionë euro më të shtrenjtë se kompania ankuese “Bajraktari”. Gjë që kjo bie ndesh me nenin kryesor të LPP-së.
Këtë e ka vërtetuar edhe Paneli Shqyrtues i OShP-së.
Me çmim më të ulët kishte ofertuar edhe kompania “R&Rukolli” e cila u ankua në Gjykatën e Tenderëve.
Menaxheri i kompanisë “R&Rukolli” i kontaktuar nga Ndërtimi.info konsideron se kompania e tyre i ka plotësuar kushtet, por që për tender u rekomandua kompania “Lirigzoni”.
Ai ishte i shkurtër në deklaratë duke thënë se kompania “Lirigzoni” e merr çdo tender që ia mësynë.
“Gjitha kriteret i kam plotësuar, çmimin e kam pas më të lirë që ka qenë edhe kriteri çmimi më i ulët. Kam qenë më i lirë dhe nuk ma kanë dhënë për këtë edhe jam ankuar. Ishallah nuk konkurron me ua ble atë redaksinë e juaj se ua merr menjëherë”, tha ai.
Sipas tij ekziston një lidhje e afërt mes Komunës dhe kompanisë fituese.
“Normal që ka lidhje. Aty ka të bëjë gjithçka”, potencon menaxheri i kompanisë ankuese.
Ndërkohë që kompania “Lirigzoni” del të jetë rekomanduar si kompani fituese nga Komuna e Mitrovicës për dy tendere milionëshe atje. Pra, përveç tenderit të lartcekur, kjo kompani ka fituar edhe tenderin për “Rregullimin e shtratit të lumit Ibër në Mitrovicë” me çmim 1 milionë e 573 mijë e 317 euro e 65 cent. Por edhe ky tender është kthyer në Ri-vlerësim nga OShP.
Edhe vetë pronari i kompanisë “Lirigzoni” Mehdi Haxhiu i tha Ndërtimi.info që ata janë fitues të tenderit, që tani më janë anuluar.
“Po ne jemi shpall fitues”, tha shkurt ai.
Por Haxhiu nuk deshi të jap detaje rreth kontratës duke arsyetuar se nuk ka gjendet në zyre dhe se nuk mund t’i di përmendësh.
“Nuk e di vlerën. Nuk jam në zyrë dhe nuk i kam dokumentet” deklaroi ai duke e mbyllur më pas telefonin.
Kurse në faqen e Prokurimit të Hapur del që kompania “Lirigzoni” nga 8 tenderë për këtë vit, 4 prej tyre i kishte nga Komuna e Mitrovicës, më pas nga Leposaviqi si dhe Komuna e Skenderajt.
Vetëm nga Komuna e Mitrovicës, këtë viti (2018) “Lirigzoni”Sh.P.K ka marrë 503 mijë e 133 euro e 45 cent.
Ndërkaq në Komunën e Mitrovicës nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth Ligjit të Prokurimit Publik. Ani pse, sipas njoftimeve dhe vendimit të OSHP-së thuhet “ANULIM I DHËNIES SË KONTRATËS” zyrtari i drejtorisë së prokurimit atje, Haxhimet Ferati i kontaktuar nga Ndërtimi.info thotë se Komuna e Mitrovicës vetëm e ka vlerësuar si përgjegjshëm këtë kompani.
Ai, thotë se OSHP e ka keq që në vendim e ka bërë duke iu referuar si “dhënie e kontratës”.
“Po më vjen keq. A pe sheh nuk jeni të njoftuar me Ligjin mirë. Njoftim për dhënie nuk bëjmë ne. Ne veç e propozojnë operatorin ekonomik. As nuk kemi bërë njoftim, as nuk kemi bërë kontratë me operatorin ekonomik. Ne e kemi propozuar. Me ligjin e ri njoftim mbi vendimin e autoritetit kontraktues. Ne vec e kemi propozuar, operatori është ankuar, nuk është pajtuar me propozimin tonë edhe është ankuar në OSHP. OShP e ka kthyer në rivlerësim. O keq e kanë. Ne nuk kemi bërë njoftim për dhënie. Ne kemi bërë vetëm vendim të njoftim të Autoritetit Kontraktues do me thënë vendim për dhënie nuk kemi bërë. Qështu është me Ligj të ri”, tha Fazliu.
Megjithatë, ai nuk tha asgjë lidhur me rekomandimet që duhet t’i përmbahet Komuna e Mitrovicës gjatë rivlerësimit.
Megjithatë, Paneli Shqyrtues po ashtu ka sqaruar se Autoriteti Kontraktues duhet të ketë parasysh edhe nenin 59.3 të LPP-së ku shkruan “Autoriteti Kontraktues do të përmirësojë gabimet në një tenderë të cilat janë tërësisht artimetike, nëse gabimet e tilla zbulohet gjatë ekzaminimit të tenderëve.
Marrë parasysh gjitha ankesat, paneli shqyrtues del në përfundim se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të Ligjit të Prokurimit dhe njëkohësisht nuk është respektuar edhe neni 60 i LPP-së që është kriteri kryesor për dhënien e kontratës e që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët.
Për të cilën paneli obligon Komunën e Mitrovicës që gjatë rivlerësimit të ofertave dhe në të ardhmen t’i përmbahet në detaje dispozitave të LPP-së dhe kërkesave të dosjes së tenderit dhe të njoftimit për kontratë.
Për këtë tender të Komunës së Mitrovicës të bashkëfinancuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) në OShP u ankua edhe kompania “Bajraktari” Sh.P.K.
Më poshtë sjellim dokumentin prej 17 faqe në të cilin sqarohet se si ka rrjedhur gjithë procesi:
