Aktuale
Dallaveret e Podujevës e lënë Obrançën pa objekt të ambulantes
Banorët në Obrançë të Podujevës do mbesin pa ambulant edhe për një kohë. E kjo, krejt shkak i tenderomanisë së zyrtarëve të kësaj Komune.
Tenderi “Ndërtimi i objektit të ambulantes së Mjekësisë Familjare në Obrançë” është kthyer në Rivlerësim, pasi që Gjykata e Tenderëve ka gjetur parregullsi në dhënien e këtij tenderi nga Komuna e Podujevës.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), deri te ky vendim erdhi pas marrjes së ankesës nga operatori ekonomik “Arad 94 Sh.P.K”-Prishtinë e cila ishte kundër dhënies së kontratës ku ishte rekomanduar kompania “Intering Contrucion & Mel Engenieering”.
Ankuesi iu drejtua OSHP-së, pasi që Autoriteti Kontraktues në këtë rast Komuna e Podujevës ia kishte refuzuar kërkesën për rishqyrtim.
Kompania ankuese pretendonte se Komuna e Podujevës ka vepruar në kundërshtim me nenet 6, 7, 10, 28, 43, 54, 59, 69 e 72 të Ligjit të Prokurimit Publik si dhe nenin 18, 36 dhe 39 të RrUOPP.
Pas marrjes së ankesës ekspertja shqyrtuese profesionale e OSHP-së në raporton e datës 10.11.2017 ka konstatuar pretendimet ankimore të operatorit ekonomik ankues se ka pas shkelje të LPP neni 6 pika 1 dhe 2.
Kjo është bazuar pasi që Komuna e Podujevës është e obliguar sipas LPP që të siguroj që fondet dhe burimet publike të përdoren ën mënyrë ekonomike.
Mirëpo pretendimi ankimor të operatorit ekonomik ankues “Arad 94” Sh.P.K se oferta e grupit të operatorëve ekonomik “Intering Construcion & Mel Engenieering” është e pa përgjegjshme është e pabazuar. Kjo pasi që siç thuhet nga ekspertja shqyrtuese kompania fituese ka plotësuar tabelën e përmasës dhe parallogarisë ashtu si është publikuar në sistemin e E-prokurimit. Kurse në dosjen e tenderit këto dy formular apo ashtu si është cekur në ankesë “Pjesa e II-të, përshkrimi i çmimit” dhe Aneksi2-Specifikimet teknike të detyrueshme” nuk janë plotësuar nga ana e Autoritetit Kontraktues. Që i bie në këtë rast komuna ka bërë shkelje të nenit 18-dosja e tenderit pika 18.3 të rregullat dhe udhëzuesi për Prokurim Publik nga Komuna e Podujevës, ku kjo e fundit nuk ka plotësuar DT ashtu siç kërkohet me këtë nen.
Në seancën e shqyrtimit kryesor të datës 23.10.2017, përfaqësuesja e OE ankuese ka kërkuar që lënda të kthehet në rivlerësim.
Ndërsa përfaqësues nga AK kanë deklaruar se ky aktivitet i prokurimit është bërë me vlerësim në bazë të kërkesës së dosjes së tenderit. Ai ka treguar që ankuesit i ka munguar CV për menaxherin e projektit dhe si rezultat i kësaj oferta për komisionin vlerësues ka qenë e papërgjegjshme.
Madje përfaqësuesi i Komunës së Podujevës ka mohuar që komuna nuk ka respektuar Ligjin e Prokurimit Publik.