Aktuale
Dallavere në ndërtimin e QKMF-së në Gjakovë, s’u bënë punët paraprake ndahen edhe 320 mijë tjera
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/MJEKSIA.jpg)
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë nuk janë kryer punime në vlerë mbi 50 mijë euro prej 802 mijë e 147 euro sa ishte vlera e përgjithshme e projektit për ndërtimin e kësaj qendre të mjekësisë familjare, por të cilat janë nënshkruar si të kryera dhe janë paguar. Por, pavarësisht kësaj Ministria e Shëndetësisë ka ndarë edhe 320 mijë euro për këtë projekt, raporton Ndërtimi.info.
Shkruan: Zoje Sadiku
Se punët e nënshkruara si të kryera, nuk janë bërë është identifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e audtimit për vitin 2018.
Në projektin e financuar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa i mbikëqyrur nga Komuna e Gjakovës, sipas ZKA-së janë disa pozicione të cilat nuk janë përfunduar po të cilat janë paguar si, punët e zdrukthëtarisë, ku përfshiheshin vendosja e dyerve të dimensioneve të ndryshme. Për vendosjen e këtyre dyerve janë paguar 31, 767 euro.
“Pozicioni 13.6a – Derë një krahëshe me mbi dritë, dimensioni 100/270 cm x 33 copë në vlerë 12, 461€ nuk ishin vendosur, përderisa janë pranuar dhe paguar si furnizime të përfunduara;
Pozicioni 13.7b – Derë një krahëshe me dimension 75/200 cm x 3 copë në vlerë 4, 532€ nuk ishin vendosur, përderisa janë pranuar dhe paguar si furnizime të përfunduara;
Pozicioni 13.8b – Derë dykrahëshe me dimension 200/200 cm x 4 copë në vlerë 8, 874€ nuk ishin vendosur, përderisa janë pranuar dhe paguar si furnizime të përfunduara;
Pozicioni 13.3 – Furnizimi dhe montimi i 6 dyerve automatike rrëshqitëse në hyrjet kryesore të pranimit – vetëm 4 ishin të përfunduara, ndërsa 2 dyer ishin ende të papërfunduara vlera e një derë ishte 2, 950€x2=5, 900€, përderisa janë pranuar dhe paguar si furnizime të përfunduara; dhe
Në tërë objektin ishin vendosur 16 dyer të dimensioneve të ndryshme, përderisa sipas situacionit të punimeve numri i dyerve të pranuara si të përfunduara ishte 22 dyer”, thuhet në raportin e auditimit.
Pozicioni tjetër që do të duhej të kryhej ishte ai për ngrohje dhe klimatizim i cili ka kushtuar 9, 027 euro.
“1. Pozicioni 1.1 – Furnizimi dhe montimi i agregatit ftohës-ngrohës, (termo pompës) me kapacitet Qft=130 KË dhe QNG=147 KË rezervuarin dhe pompën (pompe e dyfishtë punese dhe rezervë), në vlerë 7, 670€, nuk ishte vendosur, përderisa janë pranuar dhe paguar si furnizime të përfunduara; dhe
2. Pozicioni 1.2 – Furnizimi dhe montimi i këmbyesit të nxehtësisë me kapacitet Q=500KË 11, 2=120/80 – 13/14=80/60 max=16bar, në vlerë 1, 357€ nuk ishte vendosur, përderisa janë pranuar dhe paguar si furnizime të përfunduara”, thuhet në raport.
Për pozicioni e ventilimit sipas raportit janë paguar 1947, ndërsa për detektor multi kriteria i tymit dhe i temperaturës që ishin paraparë të vendosen 43 copë 1, 268 euro.
Po ashtu, pozicioni i fundit që nuk ishte përfunduar kishte kushtuar gjithsej 7, 139 euro në të cilin përfshiheshin punët e instalimeve elektrike.
“1. Pozicioni 1.12 – Ndërprerës automatik, 3P-magneto termik, 220V, AC Tip DPX-200A, 35kA, copë 2, në vlerë 1, 534€, nuk ishin vendosur përderisa ishte pranuar dhe paguar si furnizim i përfunduar;
2. Pozicioni 1.13 – Ndërprerës automatik, 3P-magneto termik, 220V, AC Tip DPX-100A, 35kA, copë 1, në vlerë 767€, nuk ishte vendosur, përderisa ishte pranuar dhe paguar si furnizim i përfunduar;
3. Pozicioni 1.14 – Ndërprerës automatik, 3P-magneto termik, 220V, AC Tip DPX-50A, 36kA, copë 4, në vlerë 2, 360€ nuk ishin vendosur, përderisa ishte pranuar dhe paguar si furnizim i përfunduar; dhe
4. Pozicioni 1.15 – Ndërprerës automatik, 3P-magneto termik, 220V, AC Tip DPX-32A, 36kA, copë 6, në vlerë 2 ,478€ nuk ishin vendosur, përderisa ishte pranuar dhe paguar si furnizim i përfunduar; dhe Pozicioni 2.3 Sistemi i lajmëruesve të zjarrit”, theksohet në raport.
Sipas auditorit dobësitë në menaxhim dhe monitorim të kontratës kanë çuar në dëmtim të buxhetit. Ata rekomandojnë që Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini të përforcojë menaxhimin dhe monitorimin e kontratave ndërsa menaxherët e kontratave nuk duhet të pranojnë që punë janë përfunduar pa qenë të përfunduara me të vërtetë.
Edhe pse sipas Zyra Kombëtare e Auditimit QKMF-ja në Gjakovë është financuar Ministria e Shëndetësisë, nga kjo e fundit në një përgjigje për Ndërtimi.info kanë thënë se projekti është në bashkëfinancim me Komunën e Gjakovës. Nga Ministria është thënë së ata janë duke pritur që të nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi me Komunën që të vazhdojnë punimet.
“Ndërtimi i QKMF-së në Gjakovë është bashkëfinancim i MSh-së dhe Komunës së Gjakovës. Për përfundimin e këtij projekti, për këtë vit nga buxheti i MSh-së janë ndarë 320, 000 euro, krahas mjeteve të ndara në vitin paraprak.
MSh pret që së shpejti të nënshkruhet një Memorandum mirëkuptimi me Komunën e Gjakovës për ekzekutimin e fazës tjetër të projektit dhe për ta realizuar në tërësi atë. Sigurisht, se kompania e kontraktuar do të detyrohet ta përmbush obligimin që nënkupton të kryejë të gjitha punët sipas kontratës së lidhur dhe pagesave të bëra nga Ministria dhe Komuna”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.
Por nga Komuna e Gjakovës kanë thënë se sa i përket gjetjeve të auditorit për këtë çështje duhet drejtuar direkt menaxherit të kontratës që sipas tyre është Rexhë Rexha.
E nga kompania kontraktuese e projektit “Euroing” nga Rahoveci me anë të një emaili, kanë thënë se punimet janë në fazën finale dhe përkundër asaj që thuhet në raportin e auditorit ata janë kanë kryer më shumë punime se sa janë paguar deri me tani.
“Po ju informojmë se punimet ne QKMF ne Gjakovë janë ne fazën finale.
Ne deri tani kemi kryer shumë më shumë punë së sa janë paguar deri tani. Sa i përket Auditorit, ne nuk jemi të informuar për çka është në pyetje.
Të gjitha punimet janë duke u punuar sipas standardeve me te larta dhe konform projektit, paramases dhe para llogarisë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
Gurthemeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Gjakovë ishte vënë në gusht të vitit 2017, në afërsi të shkollës ë mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi”. Ky projekt ishte paraqitur në vitin 2014 në konferencën e donatorëve nga ish- kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)