Aktuale
Dalin pamjet nga arrestimi i ish-drejtorit të prokurimit të Gjilanit

Dalin pamjet e arrestimit të ish-drejtorit të prokurimit në Komunën e Gjilanit, i cili bashkë me djalin e tij dyshohen se kanë sulmuar fizikisht një polic në Gjykatën Themelore të Gjilanit, për të cilin sot ishte caktuar të mbahej seancë.
Ish- shefi i prokurimit në Gjilan Salih Kqiku i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor dhe djali i tij ishin nisur sot për në Gjykatë pasi sot do të mbahej seanca gjyqësore kundër tij.
Por, kjo seancë ka dështuar të mbahej pasi që punëtorët e gjykatave dhe të prokurorive në nivel vendi, janë futur në grevë të përgjithshme, duke kërkuar rritje të pagave.
Megjithatë, në Gjykatë ndodhi një fjalosje e djalit të ish-drejtorit, ku ky i fundit ka sulmuar fizikisht policin.
Sulmi ndaj zyrtarit policor dyshohet se ka ndodhur, pasi që seanca ndaj ish-shefit të Prokurimit, kishte dështuar të mbahej.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjilan, Ismet Hashani, por që nuk janë bërë të ditur motivet e këtij rasti.
Sipas tij, lidhur me rastin janë ndaluar dy persona, të cilët janë intervistuar nga prokurori kompetent.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.
“Mund të ju konfirmoj që ka ndodhur një incident mes dy personave me disa zyrtarë policorë. Me pas kanë intervenuar njësitë e tjera policore dhe janë arrestuar personat në fjalë. Për më shumë informata ju lutem kontaktoni Stacionin Policor ne Gjilan”, ka thënë Shkodra.
Ndryshe, ish-shefi i Prokurimit Publik në Komunën e Gjilanit, Salih Kçiku, akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, i cili në seancën e më 23 mars të këtij viti ishte deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës, të ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 janar 2018, gjatë vitit 2014 në Gjilan, i pandehuri në cilësi të personit zyrtar, drejtor i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij.
Aktakuza thotë se ai kompetencat i ka kaluar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për persona tjerë, duke punësuar dy familjarë të tij, në atë mënyrë që ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.
Sipas aktakuzës, në këtë zyrë kanë qenë të vendosura dosje të tenderëve, e ndër të tjerash edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policorë nuk kanë mundur t’i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara, e ku në të njëjtën OJQ, i pandehuri ka punësuar vajzën Antigona Kçiku dhe mbesën Naime Bunjaku.
Me këtë prokuroria konsideron se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Dispozitivi i dytë i aktit akuzues, thotë se gjatë vitit 2014, në Gjilan, i pandehuri në cilësi të personit zyrtar, drejtor i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, duke asgjësuar apo fshehur materialet arkivore.
E këtë veprim, aktakuza pretendon se e ka kryer në atë mënyrë që ka vendosur OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.
Tutje, thuhet se në këtë zyre kanë qenë të vendosura dosje të tenderëve, e ndër te tjera edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policorë, gjatë hetimit të një rasti penal nuk kanë mundur t’i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara.
Me këtë veprim, prokuroria pretendon i pandehuri ka kryer veprën penale “asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”.
