Aktuale
Dalin minatorët e ngujuar

Në këto momente kanë dalë pjesa e parë e minatorëve, 26 prej tyre, nga horizonti i 9.
Peci thotë se punëtorët e ngujuar të Trepçës janë në gjendje të mirë
Xhafer Peci, drejtori i minierës me flotacion në Stantërg, ka treguar që gjendja e punëtorëve është e mirë dhe nuk ka panik.
“Janë minatorë me përvojë, punëtorë të profileve të ndryshme”, tha Peci.
Sipas tij, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i institucioneve, si policia e të tjera.
“Tani pasi është kthyer energjia elektrike, pritet edhe të fillojë dalja minatorëve nga horizontet ku kanë qenë të ngujuar”, shtoi ai.
Rikthehet rryma në Trepçë, pritet të nxirren minatorët e ngujuar
Mbi 100 minatorët e Trepçës të ngujuar nëpër horizontet e kësaj miniere si pasojë e djegies së trafos kryesore që ndodhet në Parkun e biznesit në Mitrovicë, do të nxirren shpejt nga atje.
Kjo pasi, siç mëson KTV-ja, rryma është rikthyer në këtë vend.
Më shumë se 100 minatorë ngujohen në Trepçë
Mbi 100 minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar nëpër horizontet e kësaj miniere si pasojë e djegies së trafos kryesore që ndodhet në Parkun e biznesit në Mitrovicë.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve në Stantërg, Shyqyri Sadiku ka konfirmuar lajmin, duke thënë se janë duke bërë përpjekje që përmes lidhjeve elektrike alternative të mundësohet dalja nga zgafella e minatorëve.
“Ka më shumë se një orë që është ndërprerë rryma dhe më shumë se 100 minatorë kanë mbetur në horizontin e tetë, nëntë dhe dhjetë, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe nëpër horizonte tjera. Po bëjmë përpjekje që përmes ekspertëve tanë të elektrikës të bëjmë zgjidhje qoftë edhe të përkohshme vetëm sa t’i nxjerrim minatorët nga zgafella”, ka thënë Sadiku për Kohën Ditore.
Ai ka thënë se në vendin e ngjarjes është edhe ekipi i shpëtimit që po mundohet të kontaktojë me minatorët. Ai ka thënë se minatorët nuk janë në rrezik për jetë, sepse në minierë ka ajrim natyror.
Një trafostacion i “Trepçës” përfshihet nga zjarri
Një trafostacion i ndërmarrjes “Trepça” në Mitrovicë është përfshirë nga zjarri.
Lajmin e ka konfirmuar për Koha.net edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku.
Ai ka bërë të ditur se s’ka të lënduar dhe se si pasojë është ndalur rryma në minierë.
“Në kompleksin Trepça ku është parku industrial një trafo e rrymës ka shpërthyer, larg minierës është, por shkaku i kësaj miniera ka mbetur pa rrymë. Nuk ka të lënduar apo dëme tjera materiale”, ka thënë Sadiku.
KEDS-i ka njoftuar se si pasojë e djegies së trafos në Trepçë, qyteti i Mitrovicës ka mbetur pa energji elektrike.
Sot rreth orës 12:00 ka filluar të digjet një trafo brenda obektit të Trepcës, që është edhe në pronësi të kësaj ndërmarrje. Të njëjtën kohë është këputur linja 110 kV e KOSTT-it në Mitrovicë. Kjo ka bërë që Mitrovica të jetë pa energji elektrike. KEDS ka dërguar menjëherë ekipet në vendin e ngjarjes, për ku është nisur edhe menaxhmenti nga Prishtina për t’u dalë në ndihmë këtyre ndërmarrjeve që të tejkalohet sa më shpejtë kjo situatë. KEDS ka arritur të rikthejë energjinë elektrike për rreth 2/3 e konsumatorëve të Mitrovices, duke e kaluar furnizimin nga linjat që vijnë nga Vushtrria, ndërsa nuk ka alternativë për konsumatorët që furnizohen nga Trepça dhe linja e KOSTT-it në Shupkofc, përkatësisht një pjesë e Mitrovicës dhe fshatrat afër, nga Mitrovica në drejtim të Vushtrrisë”, thuhet në një njoftim nga KEDS-i.
