Aktuale
Dalin disa prej analizave shkencore, pse u rrëzuan godinat më 26 nëntor
Janë zbardhur detajet nga hetimi për banesat e shembura nga tërmeti në Durrës.
Prokuroria e Durrësit ka konstatuar shkelje flagrante të rregullave të sigurisë teknike në godinat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës. Burime zyrtare nga organi i akuzës thanë për ora neës, se në godinat e dëmtuara që shkaktuan viktima, janë marrë mostra të hekurit dhe të betonit si dhe janë kryer filmime e fotografime të konstruksionit të këtyre ndërtesave.
Sipas prokurorisë, analizat laboratorike kanë nxjerrë në pah faktin se betoni i përdorur nga ndërtuesit nuk kanë qenë në cilësinë e duhur lidhur me rezistencën.
Probleme janë gjetur edhe me kolonat mbajtesë të godinave të cilat janë konstatuar se nuk kanë pasur dimensionet dhe sasinë e duhur të hekurit, çka ka sjellë edhe dëmtimin e tyre nga lëkundjet e tërmetit.
Pas këtyre konstatimeve pritet që në muajin janar Prokuroria e Durrësit të zgjerojë numrin e personave nën hetim duke mos përjashtuar edhe arrestime të tjera përveç 11 shtetasve të vendosur në pranga deri më tani.
Deri tani policia ka prerë 17 urdhërarreste, por 8 të akuzuar i kanë shpëtuar arrestimit dhe janë në kërkim. Katër prej tyre janë arratisur në Itali para operacionit, ndërsa të tjerët kërkohen nga policia. Në prokurorinë e Durrësit janë marrë në pyetje më shumë se 90 persona mes tyre inxhinierë, pronarë objektesh dhe zbatues.Ndërsa hetimet përfshinë të paktën 60 kompani ndërtimi./oranews