Aktuale
“Çohu” gjen konflikt interesi për parkun memorial “Ibrahim Rugova” në Istog, ngecin punimet

Parku memorial “Ibrahim Rugova”, i nisur gjatë vitit 2015 në vendlindjen e ish-presidentit të Kosovës në Istog, ende nuk ka përfunduar.
Zvarritja e punëve ka shtyrë organizatën ÇOHU që të hulumtojë rreth projektit, me ç’rast ka gjetur se në projektin e parkut memorial në këtë qytet ekzistojnë dyshime për konflikt interesi, raporton KTV.
Kjo pasi që kompanitë, të cilat kanë fituar tender për këtë projekt, kanë lidhje familjare me zyrtarët komunalë të kësaj komune.
“Dy fazat e para të punës i ka kryer kompania ‘Intering Construction’ në pronësi të vëllait të një asamblisti të LDK-së. Kjo kompani për t’i kryer punët e ka marrë betonin nga kompania MA.CON, që është në pronësi të vëllait të kryetarit të Istogut, Haki Rugova. Projektin ideor për këtë projekt e ka bërë dhëndri i kryetarit të komunës, Esat Bytyqi. Për më tepër, drejtori i kompanisë ‘Conex Group’, Veton Fetahu, që e ka fituar kontratën e fundit, ka qenë i dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për tri vepra penale për një proces tenderimi”, thuhet në hulumtimin e ÇOHU-s, botuar në Preportr.
Ish-asamblisti Florim Dreshaj, i cili edhe e kishte ngritur këtë çështje në kuvendin komunal të Istogut, thotë se që nga fillimi i këtij projekti janë vërejtur dyshime për keqpërdorim të parasë dhe për këtë çështje kanë dërguar edhe padi në Gjykatë.
Qytetarët thonë se kjo që po bëhet me parkun e një njeriu kaq të madh është turp për qeverisjen aktuale.
Ndërkaq, nënkryetari i kësaj komune, Lulzim Balaj, i hedh poshtë të gjitha akuzat për manipulim të tenderëve.
Deri më tani, ndërtimi i parkut memorial “Ibrahim Rugova” në Istog, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar mbi 1 milion euro, para këto të ndara disa nga niveli qendror e disa nga ai lokal.
