Featured
Çka rrezikon rindërtimi i xhamisë në Kalanë e Prizrenit

Kalaja e Prizrenit është trashëgimi kulture në mbrojte të përhershme, është rezervat arkeologjik dhe sipas Ligjit për Trashëgimi, trashëgimia kulture duhet të mbetet e paprekur edhe nëse është e zbuluar apo e fshehur në tokë.
Asaj që ia kanë më së shumti frikën ekspertët është precedenti që mund të krijojë në rast se kjo xhami do të rindërtohet në Kalanë e Prizrenit. E, gjithë kjo pasi qindra kisha në tërë vendin dhe xhami të tjera do të kërkohet që më pas të ndërtohen.
Arkeologu, Vesel Hoxhaj ka treguar në emisionin “koha për Ndërtim”, se Kala e Prizrenit është një rezervat arkeologjik dhe se ligji nuk lejon ndërtimin apo rindërtim në të.
“Me vetë faktin që Kala e Prizrenit është një rezervat arkeologjik ndalohet ndërtimi ose rindërtimi i objekteve që janë në kala. Për atë edhe me ligj e kemi të ndaluar një gjë të tillë, potencohet edhe në Ligjin për Trashëgimi Kulturore që Kalaja e Prizrenit është rezervat arkeologjik, që nuk duhet ta përfundojmë vetëm ne si proces të shkencës së arkeologjisë, por t’ia lëmë edhe gjeneratave të reja. Kjo logjikisht edhe pa e parë asnjë anë tjetër, pa e shikuar mendimet, pa i konsultuar ligjet, pa i konsultuar komisionit, logjikisht i bie që nuk guxon që në kala të ndërtohet ose të rindërtohet diçka”, ka thënë ai.
Në anën tjetër Sali Shoshi nga organizata Trashëgimia Kulturore Pakufinjë, që ka qenë partnere e projektit të Ambasadës Amerikane në Kalanë e Prizrenit thotë se rindërtimi i xhamisë do të krijonte precedent.
“Absolutisht mund të krijojë precedent. Imagjinoni nëse tash gjatë gërmimeve aty do të gjejmë struktura të tjera fetare dhe tash secili komunitet fetar mund ta ketë kërkesën e njëjtë. Mandej kjo situatë del jashtë kontrollit dhe komplet ndryshohet karakteri i këtij lokaliteti”, tha ai.
Këtë e përkrahë edhe udhëheqësi i punimeve në Kalanë e Prizrenit, arkeologu Shafi Gashi.
“I kemi 10 kisha palokristiane të shkullit IV dhe VI, kanë një themel të mirë, strukturat e tyre në disa lokacione ruhen deri në 1.5 metra, ka monumente kulti të periudhës mesjetare. Në momentin që ne krijojmë një precedent, kujt do t’i themi që nuk ke të drejtë të bësh kërkesë, nuk të lejohet rindërtimi i një monumenti kishtar. Pra, nuk është praktikë dhe në të mirë të askujt sepse vetëm i bënë dëm Kosovës”, tha Gashi.
Mirëpo, pavarësisht kësaj përkatësitë e idesë për rindërtimin e xhamisë nuk heqin dorë.
E, Gashi kërkon nga të hiqet dorë nga kjo kërkesë duke theksuar se kërkesa e tyre është e dëmshme, e për këtë ka marrë shembull kishën e ndërtuar nga Millosheviqi në kampusin e Up-së.
“I ftojë komunitetin myslimanë që të heqin dorë sepse është në dëm të Kosovës, të trashëgimisë, sepse vetëm Millosheviqi ka bërë ndërhyrje flagrante, siç është kisha në ambientet e Universitetit të Prishtinës”, ka shtuar ai.
EMISIONI I PLOTË: https://www.youtube.com/watch?v=4frGL62ngXc
