Aktuale
Çka përfiton Kosova nga valuta EURO, që e përvetësoi njëanshëm

Edhe pse jashtë Bashkim Evropian, Kosova që nga dhjetori i 2001 edhe sot po përdor valutën euro.
Përdorimi i valutës euro për ne po ka mangësitë por përparësitë e saj po janë më të mëdha, kështu të paktën deklarojnë zyrtarë të Bankës Qendrore në Kosovë. Madje kjo konsiderohet edhe si fat që kemi valutë zyrtare euron.
Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit në Bankën Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në një intervistë për Ndërtimi.info, ka përmendur disa nga përparësitë e përdorimit të kësaj valute, njëra ndërto to është edhe stabiliteti i çmimeve dhe bërja ballë e presioneve të inflacionit.
“Në rend të parë ka stabilitet të çmimeve, ka bërë ballë të gjitha presioneve inflacionit të dhe kemi një stabilitet të çmimeve. Nëse shohim vitin e kaluar pas të dhënave zyrtare që kemi pas, kemi diku 0.3 për qind inflacion do të thotë shumë i ulët. E dyta është besueshmëria që është te kjo monedhë, do të thotë ka besueshmëri të plotë të monedhës. E treta si përparësi është se nuk jemi të rrezikuar nga këmbimi valutor dhe si rezultat i kësaj ne kemi pas fat dhe kemi valutë zyrtare euron”, tha Mehemti.
Ndërsa, deri sa Kosova ka ekonomi të euros, në anën tjetër nuk është pjesë e Eurozonë dhe kjo i pamundëson të marr pjesë në mekanizmat e euros.
“Në anën tjetër janë edhe ato dobësitë përderisa ne jemi një ekonomi e euronizuar në anën tjetër nuk jemi pjesë e Eurozonës kjo faktikisht na pamundëson me marrë pjesë në mekanizmat e euros që janë si valutë që shtypen nga Banka Qendrore Evropiane. Ju e dini që Kosova nuk ka politikë monetar do të thotë ne e përdorim si valutë zyrtare euron dhe njëkohësisht kjo ta pamundëson me qenë si huadhënës i fundit ose me dhënë likuiditet as për bankat komerciale, as për thesarin dhe në një far forme na pamundëson me marr pjesë në përcaktimin e politikave në raport me financimin që ka të bëjë me stabilitetin financiar”, kështu thotë Mehmeti.
Ndryshe, vlerësimi i saktë i sasisë së DEM në qarkullim në Kosovë nuk ishte i mundur, kështu që u llogarit që importi i 500 miliona Euro ishte i nevojshëm për të finalizuar konvertimin në Euro deri më 28 shkurt 2002. Kontingjenti i parë me euro (rreth 100 miliona Euro) u soll në Kosovë në dhjetor të vitit 2001. Gjatë periudhës dhjetor 2001 – janar/shkurt 2002 janë eksportuar gjithsej mbi 1 miliard Marka gjermane, ndërsa janë importuar mbi 350 miliona Euro. Njëkohësisht, janë riatdhesuar afër 10 miliona monedha të Markës gjermane, ndërsa janë importuar rreth 7 miliona Euro monedha që në aspektin logjistik reflektonte një operacion transporti të monedhës në peshë mbi 100 tonelata. I tërë ky operacion pati edhe kosto të theksuar nga aspekti i transportit dhe sigurisë, ndërsa BQK ishte kanali i vetëm institucional përmes të cilit u importua Euro dhe u riatdhesua Marka gjermane.
