Aktuale
Çka ndodhë nëse Qeveria tërhiqet nga kontrata për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”?

Banka Botërore nuk po përkrah projektin për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Por edhe përkundër kësaj Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE) Valdrin Lluka pati deklaruar se një gjë e tillë nuk paraqet rrezik potencial për dështimin e këtij projekti.
Mirëpo, në rast të dështimit apo të tërheqjes nga marrëveshja me kompaninë ContourGlobal”, Qeveria e Kosovës obligohet që të paguajë gjobë prej 19.5 milionë euro.
Kjo pagesë do të ishte një penalizim ndaj Kosovës në rast se nuk e respekton marrëveshjen tashmë të nënshkruar me kompaninë amerikane.
Ideja fillestare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” pati nisur në vitin 2006, ku aso kohe u pat prezantuar si projekt gjigant me kapacitete prej 2100 megavatë. Prej atëherë procesi ka dështuar disa herë.
Janë shpenzuar miliona euro për këshilltarë transaksioni e studime fizibiliteti.
Po ashtu iu ndryshua emri nga “Kosova C” në “Kosova e Re”.
Iu zvogëlua kapaciteti nga 2100 në 500 megavatë!
Shqetësuese ishte ndikimi në impaktin e ambient.
Për këtë marrëveshje prej 1.3 miliardë euro pati kundërshtime të ashpëra nga shoqëria civile.
Pas tërheqjes së Bankës Botërore për investim në këtë projekt, KOSID-i, organizatë e shoqërisë civile thotë se qeveria e ka pasur këtë përgjigje prej vitesh.
Sipas Rinora Gojanit nga KOSID, qeverisë më lirë i bie të paguajë penalltinë dhe të tërhiqet.
Kujtojmë që me 10 tetor (2018) Drejtori i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, ka konfirmuar se ky institucion nuk do të mbështesë ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Këto deklarime Yong Kim i ka bërë gjatë sesionit vjetor të Bankës Botërore që u mbajt në Bali të Indonezisë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në reagimin e tërheqjës së BB, ka thënë se investitori ‘Contour Global’ është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të TC ‘Kosova e Re’ nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
“Contour Global është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, ka thënë Lluka.
Ndërsa, Joseph Brandt, themelues dhe menaxher i kompanisë “ContourGlobal”, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se “Banka Botërore është e parëndësishme për ta përmbyllur projektin ‘Kosova e Re’ në mënyrë të suksesshme, një projekt ky, që sipas tij, është kyç për të ardhmen e furnizimit me energji dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
“Roli i Bankës Botërore kurrë nuk ka qenë që të sigurojë financimin e projektit dhe deklaratat për këtë projekt nuk kanë asnjë ndikim në këtë projekt. Ne, së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi të vendosur për ta vazhduar me projektin”, thuhet në përgjigjen e “ContourGlobal”.
Po ashtu, Brandt, në emër të kompanisë, ka thënë se është i sigurt se do të sigurohen fondet e nevojshme në kohën e duhur, në mënyrë që ndërtimi të nisë në fillim të vitit 2019.
Ndryshe, në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”. Termocentrali i ri do të prodhojë 450 MGW energji në orë, të cilën Qeverisë së Kosovës mund t’ia shesë deri në 80 euro për 20 vjetët e parë të punës.
