Featured
Çka është “Harval”-i, që ka gjetur vend në Odat e Gjirokastrës [foto&skica]

Kështu emërtohet një deriçkë në shtratin e mindereve të divanit në Odat e banesës Gjirokastrite. Kjo deriçkë (v.j. derë e vocërr) me hapje së lartmi dhe e mbajtur me një menteshë (çerçive) lejon kalimin e maceve të shtëpisë të futen brenda hapësirës bosh mes trarëve të ndërkatit – dyshemesë dhe tavanit (fig.1) dhe të kapin minjtë si dhe në hapësirën që krijon volumi i shtratit të mindereve dhe ndërkati.
Me këtë emër quhet gjithashtu dhe një çarje në formë deriçke në fundin e dyerve të kthinave në banesë( Fig.2), me funksion të ngjashëm për kalimin e maceve si për të gjuajtur minjtë, por dhe për të lejuar daljen e tyre nga kthinat për kryerjen e nevojave të tyre jashtë.
Etimologjia: Fjala mund të jetë një deformim në shqipen e dialektit të Gjirokastrës, i fjalës me origjinë nga turqishtja havale që do të përkthehej si kalim apo transferim
Ky informacion është në vazhdën e një serie të shkrimeve që ka publikuar Kreshnik Merxhani. Ai është diplomuar për Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai është i fokusuar përgjithesisht në Arkitekturën Tradicionale. Prej 2008 ai është i angazhuar si bashkëautor në projekte restaurimi dhe rijetëzimi të disa monumenteve të periudhës Osmane dhe Komuniste kryesisht në Qytetin e Gjirokastrës. Gjatë kësaj kohe ka qenë Arkitekti kryesor për hartimin e disa projekteve të rëndësishme si Projekti për Restaurimin dhe Rijetëzimin e Kalasë së Libohovës, Projekti për Restaurimin e Banesës së Eqerem Çabej etj.
