Aktuale
Çështje ditësh nisja e punimeve për rindërtimin e çerdhes “Yllkat”

Kanë kaluar një muaj prej që kur ishte shpallur tenderi me vlerë prej 782 mijë e 537 euro për ndërtimin e çerdhes “Yllkat” në lagjen “Vellusha” të Prishtinës, por që punimet për rindërtimin e kësaj çerdhja ende nuk kanë nisur.
Megjithëkëtë, i pari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti në një konferencë për medie ka deklaruar se fillimi i punimeve për rindërtimin e kësaj çerdheje është çështje ditësh.
“Kanë përfunduar procedurat e prokurimit, është nënshkruar kontrata dhe besoj që brenda këtyre ditëve ne do ta bëjmë me Ministrinë e Arsimit një përurim të fillimeve të punimeve. Dhe pastaj, nëqoftëse kemi mot të mirën do të përfundohet në afat rekord. Edhe ministria edhe kompania është e njoftuar për nevojën e përfundimit sa më shpejt të kësaj çerdhe”, tha Ahmeti.
Çerdhja nuk do të jetë e përfunduar deri në shtator, por që sipas Ahmetit gjithçka do të përfundoj brenda këtij viti.
“Sa për ditë pune më duket është 120-180, por po e them edhe nëjhere se ideja është që ta përfundojmë sa më shpejt. Ideja është ta përfundojmë sa më shpejt, sot jemi me 3 gusht nuk besoj që do të jetë gati në shtator por besoj që sivjet ta hapim”, potencoi ai.
Sipas të parit të Prishtinës kjo çerdhe do ketë kapacitet më të madh si dhe do të ketë edhe një park lodrash modern, të cilat do të mund t’i shfrytëzojnë edhe banorët përreth.
Në mesin e 14 tenderëve sa ishin pranuar për këtë tender, fituese është shpallur grupi i operatorëve ekonomikë “N.N.SH. ” TOP PROJEKT “; N.N.P.”BENGINEERING”, shkruan Ndërtimi.info.
Kontrata ishte dhënë më 29 qershor të 2018-ës, ndërsa nënshkrimi i saj është bërë më 27 qershor të po këtij viti.
Ndërsa objekti ishte rrënuar me 24 prill të këtij viti, pasi që në objektin e vjetër ishin rrezikuar fëmijët dhe stafi i çerdhes.
Çerdhja “Yllkat” në lagjen “Vellusha” të Prishtinës është ndërtuar në vitin 1984.
