Aktuale
Çerdhja publike në Han të Elezit , peng i kontesteve pronësore
Që nga viti 2009 kontestet gjyqësore dhe procedurat e shpronësimit të një parcele po e zvarrisin projektin e ndërtimit të çerdhes publike në qytezën e Hanit të Elezit.
Kjo parcelë prej disa arësh para luftës së fundit ishte në menaxhimin e një ndërmarrje serbe, ndërkohë pas lufte është shfrytëzuar nga kompania “Kosova Petrol”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në vitin 2008-2009 me Planin Zhvillimor Komunal, Hani i Elezit në këtë parcelë kishte planifikuar ndërtimin e çerdhes publike, stacionin e autobusëve, dhe ndërtimin e disa institucioneve të tjera publike, ndërkohë që nga viti 2009, Komuna ka iniciuar procedura gjyqësore për shndërrimin e asaj parcele në pronë komunale.
Qytetarët dhe këshilltarët e KK-së në Hanin e Elezit disa herë kanë kërkuar nga Komuna gjetjen e një parcele tjetër për ndërtimin e çerdhes publike derisa është e vetmja qytezë në Kosovë, e cila nuk ka arritur ta ndërtonte një institucion të tillë arsimor, mirëpo ankesat e tilla nuk janë shqyrtuar.
Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka thënë se deri tashti ndërtimi i çerdhes publike ka qenë pengesë e procedurave gjyqësore për shndërrimin e kësaj parcele nga një ndërmarrje serbe në parcelë komunale. Mirëpo, sipas tij, tashmë Komuna e ka fituar kontestin gjyqësor, ndërkaq prona figuron si parcelë shtetërore. Ai ka sqaruar se për ndërtimin e çerdhes Komuna nga buxheti vetjak ka planifikuar të shpenzojë rreth 120 mijë.