Arkitekturë
“CASA CAFÉ” zotëron dizajnin e një kafeneje të stilit skandinav në Prishtinë
Druri natyral, mermeri, elemente prej metali dhe pasqyra, ndihmojnë që vizualisht të lidhin hapësirat brenda kafenesë “CASA” në Prishtinë, e cila është dizajnuar nga Mjellma Halili.
Shkruan: Agnesa Sejdiu
Fasada unike me skulpturat historike të Fatmir Hoxhës është simbol i hyrjes në kafiteri.
E përshkruar si një “shtëpi tipike skandinave”, ajo është dizajnuar nga arkitektja, për të shfaqur një përzierje të pasur të materialeve dhe ngjyrave, duke krijuar një hapësirë që të bën të ndihesh si në shtëpi, shkruan Ndërtimi.info.
Dizajnerja ishte e prirur që të ruante paraqitjen klasike të shtëpisë së vjetër dhe kështu vendosi që tullat, trarët e konstruksionit meskatësh të betonit, si dhe parketi, të mbeten të njëjta.
Kjo çon në një hapësirë të unifikuar e cila është mesi perfekt i kombinimit të së vjetrës dhe ndërhyrjeve të reja në këtë kafene.
Në një nga qoshet e saj, ndodhet një stufë e cila pranë saj ka dy karrige të cilat janë të veshura me një material “plish” njëra ngjyrë rozë e tjetra ngjyrë ulliri, dhe një tryezë të vogël mermeri me këmbë metalike në ngjyrë ari, duke krijuar një kënd relaksues dhe perfekt për një kafe në një ditë të ftohtë dimri.
Muret e larta të bardha me disa ndërhyrje të modeleve të drurit me ngjyra si e hirtë dhe vjollcë, krijojnë shtigje vizuale, duke udhëhequr klientët përmes një modeli të hierarkive precize hapësinore.
Vetë arkitektja e kafenesë, për Ndërtimi.info ka treguar se inspirimi për këtë lloj të dizajnit ka qenë që të arrijnë të krijojnë një komoditet për klientët e tyre duke i bërë ata të ndihen si në shtëpitë e tyre, ashtu siç edhe quhet kafeneja “CASA” e që ne shqip do të thotë “SHTËPI”.
“Paleta e dekorit te brendshëm të kësaj kafiterie ka qenë nga tendencat e ngjyrave të vitit 2018 rozë, vjollce e errët, ngjyrë ari, si dhe përdorimi i ngjyrave të tjera monokromatike”, tregon Halili.
Ajo tregon edhe disa nga karakteristikat e kafenesë, meqenëse Prishtina njihet për një numër të madh të kafeneve. Por çfarë e dallon “CASA”-n nga të tjerat?
“Thjeshtësia, paleta e ngjyrave neutrale, vijat e pastra si dhe gjelbërimi i freskët, mendoj se i japin jetë dhe qetësi kësaj hapësire. Harqet janë një tjetër karakteristikë e kafenesë, ato fillojnë prej hyrjes në objekt, e paraqiten në shumë elemente sikurse në kurrizin/mbështetësen e karrigeve. Në pjesën sipër banakut janë të përdorura strukturat metalike me hark, forma e së cilave përcilet edhe në prapavije të saj, me tulla të ngjyrosura dhe rafte metalike”, u shpreh arkitektja.
Karakteristikë tjetër e kafiterisë është edhe ndriçimi, drita natyrale nga dritaret prej dyshemesë deri në pllafon në fasadën kryesore, si dhe llojllojshmëria e ndriçimit të ngrohtë artificial në secilin kënd të hapësirës.
I gjithë procesi i projektit prej idesë e deri tek finalizimi i saj ka zgjatur dy muaj.
CASA CAFÉ është e vendosur në një rrugë të frekuentuar në afërsi të Sheshit Nënë Tereza, në qendër të Prishtinës.