Arkitekturë
Bytyçi: Të botohen libra universitarë për Arkitekturë, ngase nuk studjohet pa literaturë bazike

Si pjesë e rëndësishme e reformave në fushën e Arkitekturës, arkitekti Arianit Bytyçi thekson se duhet të jenë edhe reformat në arsim, ku mes tjerash ai propozon që të të ndërmirret iniciativa për botimin e literaturës universitare në fushën e Arkitekturës, Planifikimit Hapësinore dhe të Ndërtimit.
“Në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës nuk ka literaturë adekuate, libra universitarë në gjuhën shqipe apo ka fare pak. Askush deri më tani nuk ka marrë iniciativën që së paku nëse nuk munden ata profesorë të krijojnë vetë vepra universitare për arkitekturë, atëherë të marrin të drejtat e autorit nga autorë ndërkombëtarë dhe të përkthejnë literaturën profesionale për arkitekturë. Sepse, nuk mund të dalë një arkitekt i suksesshëm nëse nuk ka literaturë bazike”, ka thënë ai.
Si zgjidhje për këtë ai sheh bashkëpunimin me ambasada për marrjen e të drejtave autoriale për përkthim nga autorët e huaj.
“Unë mendoj se kjo mund të bëhet. Kemi Ambasadën Amerikane, si dhe ambasadat tjera të vendeve mike të Kosovës, të cilat mund të na ndihmojnë që së paku ata të na heqin shpenzimet e të drejtës autoriale të profesorëve të arkitekturës që kanë krijuar vepra universitare për arkitekturën dhe planifikimin, si dhe mundësisht të na mbështesin edhe përkthimin profesional të kësaj literature profesionale, dhe në këtë mënyrë studentët të kenë literaturë adekuate për të studjuar. Kjo është një kërkesë imediate që duhet mënjëherë të zbatohet”, theksoi arkitekti Arianit Bytyçi.
