Aktuale
Bunkeri i Titos në Konjicë, ndërtesa më misterioze në ish-Jugosllavi
I ndodhur afër Konjicës, mali i Zllatarit në Bosnjë-Hercegovinë ruan sekretin më të madh ushtarak shtetëror të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) për gati gjysmëshekulli.
Përveç stafit që ishte përzgjedhur në mënyrë shumë të kujdesshme dhe që është dashur të nënshkruajnë Marrëveshjen për Konfidencialitet, vetëm katër komandantë e dinin për ndërtimin e bunkerit që do të shërbente si strehë nga ndonjë katastrofë bërthamore, dhe identiteti i tyre është edhe sot mister.
Në shikim të parë, këto janë vetëm tri shtëpi të zakonshme në “mbretërinë” e natyrës së Hercegovinës. Megjithatë, për dekada të tëra këto shtëpi kanë ruajtur një sekret për ndërtesën më të madhe ushtarake, të tretën për nga rëndësia në RSFJ. Kur hyni në ndërtesë, hapi i parë do t’ju dërgojë në një botë paralele, që është reminishencë e sfondit të filmave fantastiko-shkencorë.
Ndërtesa me emrin e koduar “Istanbul”, më vonë u quajt Komanda e Rezervës Ushtarake dhe Komanda e Luftës Bërthamore, por më së miri e njohur si bunkeri i Titos, u ndërtua në sekret të plotë për 26 vjet të plotë, nga 1953-a deri më 1979-n. Ndërtimi i tij kushtoi në atë kohë 4.6 miliardë dollarë amerikanë, që sot është e barabartë me 10 miliardë dollarë amerikanë. U ndërtua si strehë për presidentin Tito, familjen e tij dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt në rast të një lufte bërthamore, dhe, veç kësaj, ai do të funksiononte si qendër e operacioneve ushtarake.
Në rast rreziku nga ndonjë sulm bërthamor, bunkeri do të mund të akomodonte 350 persona nga lidershipi ushtarak dhe politik i ish-RSFJ-së. E vetmja grua në mesin e tyre do të ishte gruaja e Josip Broz Titos, Jovanka Broz. Zyrtarë të tjerë pritej të strehoheshin në bunker të vetëm, pa gra e familje.
Ata do të mund të qëndronin në bunker për gjashtë muaj pa ndonjë kontakt me jetën jashtë, pasi që kishte gjithçka të nevojshme për një jetë normale. Rezervuarë me ujë të pijes, cisterna të naftës, depo me ushqime e medikamente, një hapësirë mjekësore, dhoma spiunazhi dhe dhoma gjumi, salla konferencash dhe njësi të fuqishme të ajrosjes, të cilat edhe sot punojnë… dhe shumëçka tjetër gjendet në hapësirën prej 6.500 metrash katrorë në një thellësi prej 280 metrash nën tokë. Temperatura në bunker është mes 21 dhe 23 gradë celsius, ndërsa lagështia e ajrit 60-70 për qind, që paraqet kushte ideale për jetesë.
Bunkeri ka qenë i lidhur me një pistë për helikopterë përmes një pasazhi sekret, ku helikopterët, të fshehur në pyll, ishin gjithmonë të gatshëm për ngritje. Në kohën kur komuna e Konjicës nuk ka qenë e lidhur me pjesën tjetër të botës përmes telefonit, bunkeri kishte 350 linja telefonike, si dhe makina teleksi e faksi, që ishin të teknologjisë së fundit. Orenditë në bunker ishin bërë nga lisi i klasës së parë sllave, përpos kabinetit të Titos, që ka qenë i bërë nga druri i arrës. Pjesët e tjera ishin të punuara nga alumini dhe PVC-ja.
Bunkeri përbëhet nga tri pjesë. E para, pjesa e kamuflazhit shihet nga jashtë dhe përbëhet nga tri seksione: rezidenca e mbikëqyrjes, objekti për sigurimin e sigurisë fizike të personelit të ish-presidentit të RSFJ-së, si dhe objektin që ka shërbyer për akomodimin e stafit të asistencës teknike. Kur kaloni përmes sallës së shtëpisë së parë, hapet një derë metalike e trashë 1.20 metra, prapa së cilës është një tunel që të çon në zemrën e strehës bërthamore në një thellësi prej 280 metrash. Muret e tunelit janë punëdore nga druri, dhe e tërë ndërtesa është e ndriçuar nga 6.000 llamba neoni. Tunelet lidhin objektin e kamuflazhit dhe strehimoren bërthamore, e cila do t’i bënte ballë një sulmi bërthamor 20 kilotë të fuqishëm. Objekti i fundit i ndërtesës ka 12 blloqe.
Pas ndarjes së Jugosllavisë më 1992, Armata Nacionale Jugosllave urdhëroi që kompleksi të shkatërrohej, në mënyrë që të mos mbesë nën kontrollin e autoriteteve të BeH-së, por njësiti ushtarak refuzoi të zbatonte urdhrin dhe ua dorëzoi strukturën autoriteteve të BeH-së. Vetëm në vitin 2000 publiku mori vesh për bunkerin e Titos, dhe nga viti 2011, ai ka qenë i hapur për vizitorë. Që nga atëherë, në bunker është mbajtur një bienale e artit bashkëkohor, dhe ndërtesa është shndërruar në një galeri nëntokësore. Deri më tani, 150 vepra arti janë prezantuar në bunker dhe konsiderohet të jetë një prej koleksioneve më të vlefshme të artit bashkëkohor në Evropën Juglindore.
Telefoni i kuq është një prej simboleve kryesore të bunkerit, dhe sot ai ende duket i ri. Megjithatë, ai s’ka punuar që nga viti 1992, kur në bunker ndodhi një dramë e madhe.
Bunkeri është skicuar në atë mënyrë që, nëse bie në dorën e armikut, 16 oficerët që e ruanin atë menjëherë do ta lironin hapësirën. Atëherë do të binte zilja e telefonit të kuq, kur do të aktivizoheshin automatikisht disa tonë eksplozivi. Më 1992, kur bunkeri iu dorëzua Armatës së Bosnjë-Hercegovinës, dy oficerë morën urdhrin për shkatërrimin e tij, prandaj ata i prenë telat e telefonit të kuq dhe shpëtuan bunkerin me këtë veprim/Furaj.ba.