Arkitekturë
Bukuria e thjeshtësisë së xhamisë në Medvegjë nga G+A Architects
Ngjyra e bardhë mbulon muret e brendshme dhe të jashtme të një xhamie të vogël nga G+A Architects në fshatin Tupallë, Medvegjë, shkruan Ndërtimi.info.
Projekti paraqitet si një kuti e bardhë në kodër në më pak se 100 metra katrorë, e cila ka disa karakteristika të thjeshta. Arkitekti Arbër Sadiki, ka thënë se qasja projektuese ka qenë e tillë, që përmes një kostoje minimale të krijohet një strukturë arkitektonike, e cila plotëson nevojat funksionale dhe shpirtërore të komunitetit.
Kjo ka bërë që ata të jenë shumë modest në përzgjedhjen e materialeve.
“Në fakt një qasje e tillë modeste është në përputhshmëri edhe me thelbin filozofik të islamit si religjion”, shprehet Sadiki.
Në këtë vazhdë ata natyrshëm janë përcaktuar lehtësisht edhe për ngjyrën e bardhë, ngjyrë kjo që përfaqëson çiltërsi, pastërti, sinqeritet, vyrtyte këto mishërisht të lidhura me këtë religjion, sipas arkitektit.
“Hapësirat e brendshme përpos që kanë për qëllim të ofrojnë hapësirë konkrete funksionale mëtojnë edhe të krijojnë hapësirë për një meditim universal brenda saj. Drita zenitale e cila depërton në sallën e lutjeve e përthyer nëpër muret harkore të cilat i bëjnë të padukshme dritaret por sjellin vetëm dritën brenda sallës, bëjnë që besimtari të jetë i ndriçuar nga drita natyrale brenda një hapësire të mbyllur plotësisht nga të gjitha anët e saj. Kjo i jep hapësirës dimension sa universal po aq edhe hyjnor. Në murin fundor të sallës së lutjeve, konform rregullave të ritualit të faljes, është vendosur ‘Mihrabi’. Duke qenë se kjo hapësirë e zbrazët e futur në mur, definon orientimin e besimtarëve gjatë lutjeve, është ndriçuar në mënyrë të veçantë nga zeniti. Në këtë mënyrë, besimtarët gjatë lutjes drejtohen nga drita, burimi i jetës së çdo gjëje në univers”, tha Sadiki.
Meqenëse objekti nuk është edhe shumë i madh, lëvizja brenda hapësirave të tij është strukturuar në mënyrë që gjatë aksesimit të tyre të fitohet një dinamikë përjetimesh, plotësisht e papritur në krahasim me sasinë volumore hapësinore minimale që ka objekti.
Siç tregon arkitekti, përmes hyrjes në pjesën qendrore të fasadës ballore arrihet tek holli hyrës (një imitim i hajatit të xhamive tradicionale) i cili ndahet në dy korridore simetrike të cilat përshkojnë të gjithë gjatësinë e sallës se lutjeve me mundësi futjeje në të nga të dy anët e saj mu në pjesën e mesit. Në këtë mënyrë përpos që krijohet një dinamikë e përjetimit hapësinor, jepet edhe një mundësi e aksesimit të sallës së lutjeve në mënyrë të barabartë për të gjithë vizitorët e saj duke manifestuar kështu edhe një barazi të përfaqësimit hapësinor brenda një objekti të dedikuar perëndisë.
Ai gjithashtu theksoi se meqenëse objekti është i pozicionuar në një lokacion ku për arsye politike dhe ekonomike një numër i madh i popullsisë është larguar drejt qyteteve më të afërta, objekti përpos karakterit bazë fetar, mëton të përfaqësojë edhe një qendër të komunitetit për shumë aktivitete tjera kulturore dhe sociale.
“Natyra magjepse që e rrethon objektin, paraqet një resurs të jashtëzakonshëm peisazhor në shërbim të tij. Duke përdorur edhe topografinë e terrenit, në krahun e majtë të hyrjes së ndërtesës është vendosur amfiteatri i hapur i cili si skenë përdor pllatonë hyrëse të tij ndërsa vet objektin si prapaskenë. Në këtë mënyrë ndërvepruese plotësojnë njëri-tjetrin duke u zhytur në peisazhin magjepsës natyror i cili pa dyshim që mbetet pika më e fortë e gjithë kuadrit që vrojtojmë”, tha tutje Sadiki.
Më poshtë mund të shihni disa fotografi të projektit: