Aktuale
“Bukuria e betonit” me kontrastet e gjallërinë e Prishtinës
“Bukuria e betonit”, titullohet ekspozita e parë e fotografit francez Etienne Rémond, e cila u hap të martën në Aleancën Franceze. Pas shtatë muajsh qëndrim në Prishtinë, Rémond i ka dhuruar kryeqytetit një rrëfim fotografik. Përmes 31 imazheve bardhezi e spikat kontrastin në mes të gjallërisë dhe betonit që rrethon kryeqytetin, por edhe përditshmërinë. Ani pse në fotografi ka shumë beton, ndërtesa e objekte, fotografi thotë se aty ka gjetur diçka të bukur.
“Kishte diçka për njerëzit që më ka tërhequr. Është një qytet me plot gjallëri, por edhe në të njëjtën kohë ka aq shumë beton, është shumë brutale në aspektin arkitektonik, e që gjithë këtë e kam gjetur si shumë piktoreske, shumë të bukur. Mendoj që kjo vjen pikërisht prej këtij kontrasti”, ka thënë ai.
Ekspozita e Rémond do të qëndrojë e hapur deri më 31 shtator. Fotografitë janë në shitje. E Rémond ka thënë se ajo që është mahnitëse për Prishtinën, sipas tij, është se gjatë kohës së lirë, njerëzit mund të ecin rrotull dhe çdoherë të gjejnë diçka të re për të parë.
Në dy muajt e parë të qëndrimit të tij në Prishtinë nuk kishte shkrepur asnjë fotografi të kryeqytetit. Kishte fotografuar herë pas here vendet që kishte vizituar si Prevallën ku kishte bërë hiking. Mirëpo pas atyre muajve, në një ditë më shi, radha do t’i vinte Prishtinës. Një njëri me çadër që “lufton” me erën, një makinë e dëmtuar në qoshe të rrugës përballë një të reje me ndërtesa betoni në sfond, janë elementet e imazhit, të parë që duket edhe si paracaktues i krejt konceptit të ekspozitës – kontrastit. E njëjta fotografi të martën ka qëndruar e ekspozuar bashkë me të tjerat.
Fotografi Rémond ka thënë që me fotoaparatin e tij kryeqytetit t’i rikthehet edhe në vjeshtë e dimër.