Aktuale
Britania kërkon stacione autobusësh në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë

Ambasada britanike i ka dërguar letër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës, me të cilën kërkon vendosjen e stacioneve të autobusëve në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, raporton KTV. Thonë se mjetet transportuese po ndalen kudo, e edhe para objektit të tyre.
Mjetet e transportit nga Fushë Kosova për në Prishtinë, nuk kanë asnjë stacion dhe ndaljen e bëjnë kudo.
Problem sigurie e ka cilësuar atë Ambasada Britanike, e cila i ka dërguar një letër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës në dhjetor të vitit të kaluar.
Në letër kërkohet nga institucionet që vendosjen e kabinave pritëse, ta kenë prioritet gjatë vitit 2018.
Por, kanë kaluar më shumë se 6 muaj dhe asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.
Mungesa e stacioneve po u shkakton probleme edhe ngasësve të autobusëve.
Në Komunën e Prishtinës kanë thënë që këtë problem mund ta zgjidhë Ministria e Infrastrukturës.
Këta të fundit i kanë thënë KTV-së, nëpërmjet telefonit se kërkesën e Ambasadës e kanë shqyrtuar seriozisht dhe se kanë shpallur procedurat e tenderimit.
“Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar që në vitin 2019 të fillojë projektimin e rindërtimit dhe funksionalizimit të vend-stacioneve për autobusë. Sa i përket kërkesës së Ambasadës Britanike, për vendndaljen në Fushë Kosovë, ne e kemi marrë seriozisht kërkesën e tyre dhe ka qenë në planifikimin e MI-së. Ne kemi shpallur procedurat e tenderimit për 7 pika, të cilat do të ndërtohen në pika të ndryshme dhe njëra ndër to është edhe kërkesa e Ambasadës”.
Zëvendësministri në Ministrinë e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka thënë gjithashtu se pret që shumë shpejt të përmbyllen procedurat dhe të lidhet kontrata me kompaninë përkatëse.
Në tërë territorin e vendit janë 2800 stacione për autobusë.
