Aktuale
BQK: Kosova po i kalon sfidat bankare me ndihmën e bashkëpunëtorëve
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka organizuar konferencën ndërkombëtare “Qasja në financa, kreditimi bankar dhe sektorët bankarë në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”.
Fehmi Mehmeti, ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së, me këtë rast tha se sfidat bankare janë të mëdha, por Kosova bashkë me bashkëpunëtorët e saj po arrijnë t’ ia dal.
Në anën tjetër, Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza tha se kjo konferencë është inkurajuese, pasi rritjet ekonomike në rajon dhe më gjerë janë më optimiste se sa më parë, raporton Ekonomia Online.
“ Për shumë vende të Evropës e veçanërisht të Ballkanit Përendimor janë dy çështje të rritjes. Për disa janë të mjaftueshme, për ne nuk janë të mjaftueshme. Ne duhet të eliminojmë sfidat e papunësisë, bilancin bankar. Natyrisht një rritje më e lartë na duhet në konvergjencën e shteteve të Bashkimit Evropian. Duhet të jemi konsistent në këtë drejtim, në mënyrë që sektorit privat t’i mundësohet një ambient më i mirë i të bërit biznes. Qeveria me ndihmën e donatorëve ka formuar fondin për bizneset e vogla dhe të mesme. Në vitet në vazhdim do vazhdojmë me përkrahjen edhe me të madhe të këtyre bizneseve”, u shpreh ministri Hamza.
Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar Ruud Vermeulen, i cili është pjesë e kësaj konference paraqiti prezantimin e tij me temën “Sistemi bankar në Ballkanin Përendimor’’, me ç’ras tha se kriza e kreditimit po i pengon bankat.
” Të hyrat për kokë banori janë 2/3 në këtë pjesë. Pas krizës së kreditimit ka ngecur dhe mbetja e kësaj krize ende po i pengon bankat. Ka ndryshime mes vendeve p.sh Kosova ka ulje kurse Mali i Zi ka një rritje në kreditim. Për rajonin në tërësi financimi nga bankat e huaja është në rritje. Në përqindje sa i përket financimit të bankave të huaja ne Ballkanin Perëndimor është e madhe”, tha Vermeulen.
Pjesë e kësaj konference, që organizohet në bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Austrisë dhe Bankën Investive Evropiane, janë përfaqësues nga bankat qendrore të rajonit dhe më gjerë, institucione financiare ndërkombëtare dhe banka komerciale.