Aktuale
Botta: Dashuria për arkitekturën lindi tek unë si dashuritë që lindin për vajzat
Mario Botta është një arkitekt zviceran me origjine italiane i cili renditet si një ndër arkitektët më të njohur, e më me influencë në botë.
Botta projektoi ndërtesën e tij të para në moshën 16 vjeçare. Modelet e tij priren të përfshijnë një sens të fortë të gjeometrisë, shpesh duke u bazuar në forma shumë të thjeshta, por duke krijuar vëllime unike të hapësirës.
Ndërtesat e tij shpesh janë prej tullave, megjithatë përdorimi i materialeve është i gjerë, i larmishëm dhe shpesh unik. Stili i tij mund të shihet gjerësisht në Zvicër si dhe në Itali, por edhe ne Amerike dhe Angli.
Punimet nga Botta janë edhe në disa kisha te reja si dhe rikonstruksione të disa kishave shekullore.
Në karrierën e tij është vlerësuar me rreth 70 çmime ndërkombëtare, si dhe ka marre vlerësim me çmimin Honoris Causa. Botta për herë të parë vizitoi Tiranën në muajin shtator. Në një intervistë të dhënë për tch, ai ka treguar përshtypjet e para gjatë vizitës në Tiranë si dhe ka folur mbi karrierën e tij dhe pasionin për arkitekturën.
“Tirana më duket një qytet i ri, këtu ka shumë të rinj dhe mbi të gjitha një qytet me histori. Më pëlqen që ka dëshmi të dukshme të arkitekturës të viteve 1930, dëshmi të cilat në vendet evropiane shihen me dyshim, por që këtu bëjnë pjesë në dizajnim urban. Më bëri shumë përshtypje pasi që kjo pjesë që për ju bën histori për mua thuajse është aktualitet. Kujtoj gjyshin tim i cili mund të kishte ndërtuar këto struktura. Një qytet europian, një qytet i cili ka qendrën e tij, e cila nuk është historike, por një qendër moderne.
“Mua dashuria për arkitekturën me lindi siç lindën dashuritë me vajzat, paprimtmas. Të shohësh në moshën 16 vjeçare që një linjë e vizatuar të transformohet në një mur me vëllim, të jep një emocion shumë të fortë. Më pas gjithçka ishte më e lehtë, por kur e kuptova që vizatimi im nuk ishte vetëm krijimi i një strukture dhe e kuptova që ky profesion më përket mua.
Në të shkuarën asnjë nga familja ime nuk ka pasur lidhje me arkitekturën. Unë kam tre fëmijët arkitektë që punojnë me mua. Shpresoj që ata ta duan arkitekturën sa e dua unë. Unë banoj në zvicër, 30 km larg Italisë dhe nuk më mungon Italia. Milano është qyteti im, atje shkoj vazhdimisht, për teatro, koncerte, Italia është gjithmonë prezente në mendjen time.
Arkitekti nuk mund të zgjedhë çfarë duhet të bëjë. Arkitekti zgjidhet për të bërë një shtëpi, një bibliotekë, një muze dhe shumë objekte të tjera. Çdo herë arkitekti duhet të interpretojë se çfarë është një shtëpi, një bibliotekë apo çdo gjë tjetër në ditët e sotme. Forca e arkitekturës është shprehja formale e historisë bazuar në kohën e realizimit.
Hapi i parë i arkitekturës nuk është ai i vendosjes, gurë mbi gurë për të ndërtuar, por hapi i parë është ai i vendosjes së gurit në tokë për të transformuar një fushë natyrore në një fushë kulturore. Njeriu përmes arkitekturës jep një shenjë të nevojës për jetë në një kohë të caktuar tek njerëzit e tjerë. Arkitektura është një partner i natyrës.
Mesazhi im për të gjithë arkitektët e rinj është që duhet të kenë ndërgjegjësim që të gjithë qytetet evropianë janë një mirë e përbashkët. Në një qytet ne njohim një formë të grumbullimit njerëzor më të bukurën, fleksibilen dhe intelegjentën që ekziston, nuk njohim një mënyrë tjetër për të jetuar së bashku. Urimi im është që cdo arkitekturë që realizohet për një shtëpi, për një shkollë të bëhet pjesë ë qytetit. Qyteti duhet të jetë objektivi ku arkitektuar të ndryshme duhet t’i përgjigjen”.