Aktuale
Borxhet e Komunës së Rahovecit arrijnë në 2.2 milionë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në fund të vitit që lamë pas borxhet e Komunës së Rahovecit ndaj operatorëve ekonomikë (OE) kanë arritur në 2 milionë e 243 mijë euro, nga 920 mijë euro sa ishin në fund të vitit 2016, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Më shumë se 2.2 milionë euro kanë arritur borxhet e Komunës së Rahovecit ndaj operatorëve ekonomikë (OE). Kjo dhe shumë shkelje të tjera janë evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e cila është publikuar të mërkurën.
Sipas Auditorit, Komuna nuk kishte arritur të ketë një menaxhim dhe raportim të mirë të obligimeve të saj.
Sipas Auditorit, në raport me vitin paraprak obligimet janë rritur për 1.323.219 euro, nga 920.000 euro sa ishin në vitin 2016 në 2.243.767 euro.
“Rritja enorme e obligimeve në raport me vitin paraprak ishte pasojë e kontrolleve të dobëta, përkatësisht hyrjes në obligime kontraktuale pa mjete të mjaftueshme. Në katër raste faturat e pranuara nuk janë evidentuar në librin e protokollimit të faturave, siç kërkohet me Nenin 24.1.3 të Rregullës Financiare 01-2013 MF – Shpenzimin e parasë publike, si dhe në një rast fatura e papaguar për ndërtimin e kanalit të ujërave atmosferike për muajin tetor të vitit 2017 në vlerë 24.795 euro nuk është përfshirë në regjistrin e obligimeve, duke nënvlerësuar obligimet e prezantuara për të njëjtën vlerë. Ky veprim është në kundërshtim me Nenin 17.3 të Rregullores së Ministrisë së Financave Nr. 01/2017 për raportim vjetor financiar të OB-së”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Rahovecit, e cila gjatë mandatit të kaluar ishte drejtuar nga Idriz Vehapi i PDK-së, derisa nga zgjedhjet e fundit lokale Komuna drejtohet nga Smajl Latifi i AAK-së, shkruan më tutje “Zëri”.
Më tutje, sipas Auditorit, shumat e raportuara të detyrimeve të papaguara janë shumë domethënëse për buxhetin e Komunës dhe si të tilla mund të shkaktojnë vështirësi buxhetore.
Sipas tij, obligimet e larta mund të pasojnë edhe me ekzekutimin e buxhetit përmes vendimeve gjyqësore dhe pagesat shtesë për shpenzime përmbarimore.
