Arkitekturë
Dezeen shkruan për projektin madhështor që ka filluar të ndërtohet në Tiranë

Një ndër ndërtesat më të veçanta dhe bashkëkohore të sjellura së fundmi në viset shqiptare është objekti ‘Blloku Cube’ që po ndërtohet në Tiranë ka marrë vëmendjen e faqes më të njohur të arkitekturës Dezeen.
Ndërtesa që planifikohet të ketë 7 kate, është dizajnuar nga kompania “Stefano Boeri Architetti”.
Edhe më inspiruese objektin po e bënë fasada tre-dimensionale prej aluminit që në pjesën e jashtme reflekton dritën nga këndet e ndryshme të saj, shkruan Dezeen, transmeton Ndërtimi.info
“Blloku Cube” ka marrë emrin nga forma e tij dhe ndodhet në lagjen qendrore të Tiranës.
Forma kubike është afërsisht rreth 30 metra me 30 metra. Dy katet e poshtme të ndërtesës që do kenë 1,116 metra katrorë do të përmbajnë një qendër tregtare tejet të madhe, e pesë katet e sipërme do të jenë hapësira për zyre.
Arkitekti italian, njëherësh bashkëthemelues i kompanisë “Stefano Boeri Architetti”, Stefano Boeri, për Dezeen ka thënë se ky projekt ka qëllimin e krijimit të një sipërfaqe të gjallë e të ylbertë dhe tejet atraktivë.
“Efekti që rezulton në të është ai i një sipërfaqeje të gjallë dhe të ylbertë, një model i trekëndëshave të aluminit që luajnë me rrezet e diellit për të krijuar reflektime në nuanca të ndryshme të ngjyrave”, është shprehur Boeri.
Arkitektja e njohur Francesca Cesa Bianchi, ka potencuar se kjo ndërtesë multifunksionale do të jetë një pikë e re referimi, në kryeqytetin shqiptar.
“Kjo zgjidhje e veçantë e pjesës së jashtme është projektuar posaçërisht për projektin tonë të parë shqiptar dhe luan një rol thelbësor në përcaktimin e veçantisë së ndërtesës duke e shndërruar atë një pikë të re referimi brenda rrethit urban”, deklaroi Bianchi.
Blloku është një nga disa ndërtesat të mëdha të masterplanit të zhvillimit “Tirana 2030”.
Ekipa e “Stefano Boeri Architetti” po punojnë gjithashtu në tri shkolla të reja për kryeqytetin shqiptar, të cilat do të shndërrohen në kryevepra të artit.
