Aktuale
Blerja e standardeve, mbizotëron sektori i ndërtimit
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/ndertime-1.jpg)
Nga viti 2015 deri në tetor 2017 Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) ka shitur rreth 4300 standarde në total. Sektori që duket se ka qenë edhe më i angazhuar për blerjen e tyre ka qenë ai që operon në fushën e ndërtimit pasi nga totali të paktën 970 të shitura janë standarde që lidhen me fushën e ndërtimit.
Kjo duket se i ka paraprirë edhe një lulëzimi të sektorit i cili është angazhuar në projekte të shumta gjatë dy viteve të fundit.
Çmimet që aplikohen për blerjen e një standardi varen nga numri i faqeve por edhe nga fakti nëse biznesi është bashkëpunëtor ose jo me Drejtorinë e Përgjithshme të Standardeve. Referuar listës së çmimeve një standard minimal kushton 595 lekë për bashkëpunëtorët dhe 1190 lekë për jo bashkëpunëtorët.
Çmimi maksimal i një standardi është 12 941 lekë për një biznes bashkëpunëtor dhe 25 882 për një biznes jo bashkëpunëtor. Në këtë rast numri i faqeve të standardit varion nga 1791-2000 faqe.
Blerja e një standardi është një kriter për respektimin e akteve nënligjore të vendosura nga institucionet si dhe ndikon në sigurimin e nivelit të duhur ekologjik, qëndrueshmërisë dhe ruajtjen e mjedisit, ashtu sikurse dhe në rritjen e konkurrencës.
Si blihet një standard
Aktualisht çdo biznes i interesuar mund të blejnë një standard edhe online pranë DPS dhe çmimet e standardeve shqiptare janë sa 30 për qind e çmimeve të standardeve europiane.
Por për të gjithë ata që janë skeptikë për të blerë një standard online Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit e ofron këtë mundësi edhe në zyrat e saj ndërkohe që për kategori të veçanta ofrohen edhe çmime preferencialë. Për shembull kjo vlen për stundetët apo bashkëpunëtorët që blejnë më shumë se 10 standarde.
Për të plotësuar më mirë kërkesat e klientëve dhe për të qenë sa më afër me ta, DPS i ka deleguar të drejtën për shitje të një grupi standardesh në funksion të fushave të tyre të interesit disa institucioneve.
Subjekte të ndryshme (institute, laboratore, agjenci etj) mund të bëhen Nën-shpërndarës ose Shitës Zyrtarë të DPS-s. Marrëdhëniet me këto organizma rregullohen përmes aktmarrëveshjeve përkatëse që lidhen ndërmjet DPS dhe këtyre subjekteve. Nën-shpërndarësit ose Shitës Zyrtarë janë të detyruar të zbatojnë politikat e shitjes mbi bazën e një kontrate të lidhur midis DPS dhe atyre.monitor.al
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)